Shqiptarët në Evropë/ Short “ferri” për Kukësin, Teutën

31/08/2020 14:24

Klubet shqiptare të kualifikuara në raundin e dytë kualifikues të Europa League kanë mësuar fatin e tyre në shortin e hedhur në Nyon të Zvicrës, një short që nuk ishte aspak bujar me to.

Në fakt Kukësin, Teutën dhe Laçin e pret një raund “ferri” në këtë kompeticion, teksa përballë do të kenë skuadra shumë të vështira për t’u kaluar.

Skuadra verilindore është ajo që pati fatin më të keq në shortin e këtij raundi pasi përballë do të ketë gjermanët e Wolfsburg, një skuadër që ka shumë eksperiencë në arenën evropiane teksa ka marrë pjesë si në Ligën e kampioneve ashtu edhe në Europa League. Nuk do të jetë e lehtë as përballja e Teutës që do të presë skuadrën spanjolle të Granadës, një skuadër që bëri mjaft mirë në La Liga teksa e mbylli sezonin në kampionatin spanjoll në vendin e 7.

Përsa i përket Laçit, skuadra kurbinase do të ketë si kundërshtar një skuadër me të cilën është përballur edhe vitin e kaluar në raundin e parë kualifikues të Europa League, bëhet fjalë për izraelitët e Hapoel Beer Sheva. Në 2019 Laçi u eliminua vetëm nga një gol në fushe kundërshtare nga Hapoelit dhe tani skuadra e Armando Cungut ka mundësinë që të marrë revanshin. Të treja skuadrat shqiptare kanë avantazhin që këto ndeshje që nuk do të jenë me sistem vajtje ardhje t’i luajnë në fushat e tyre.

Skuadër tjetër shqiptare e kualifikuar për në raundin e dytë të Europa League është edhe Shkëndija që do të luajë në Rumani ndaj Botosan, ndërsa Drita e Kosovës do të përballet me ekipin maqedonas të Sileks. Në shortin e këtij raundi ishte edhe Renova që do të presë skuadrën kroate të Hajdukut të Splitit

Top Channel