Kapet pas 12 vjetësh më i kërkuari i FBI, për “vrasjen e nderit” të 2 bijave

28/08/2020 19:20

Një burrë i kërkuar për vrasjen e dy vajzave të tij në 2008 në Texas është kapur dje nga FBI dhe policia e Irving.

Yaser Abdel Said ishte në listën e më të kërkuarve të FBI për vrasjen e dy vajzave të tij për çka njihen si “çështje nderi”.

Ai kishte marrë vajzat e tij 18-vjeçaren Amina dhe 17-vjeçaren Sarah për t’i nxjerrë për darkë, por i qëlloi ato për vdekje në sediljen e pasme të një taksie në Irving.
Said ishte aratisur menjëherë pas incidentit.

“Ky njeri vrau brutalisht dy vajzat në taksinë e tij. Ne kishin ndjekur çdo pistë dhe nuk kishin humbur kurrë shpresat se një ditë do të kapnim Yaser Said,” tha kreu i policisë së Irving.

FBI tha se ishin arrestuar gjithashtu dy të afërm që kishin ndihmuar Said të strehohej, djalin e tij Islam Said, dhe të vëllanë Yasim Said.
FBI e kishte klasifikuar krimin e tij si “vrasje nderi.”
Në një telefonatë në numrin e emergjencës, një prej vajzave tragjike thoshte se babai u qëlloi me armë.

Ngjarja e profilit të lartë ka shumë të panjohura por policia beson se Said ishte i zemëruar pasi vajzat e tij shoqëroheshin me djem jo-muslimanë.
“Ai i ndiqte ato kudo dhe regjistronte veprimet e tyre,” thotë Ruth Trotter, mike e familjes, për disa video të dala ku duken babai dhe dy vajzat para vdekjes së tyre.
Në një nga videot Yaser ndjek bijën e tij Sarah teksa shkon në punë.

“Ajo i buzëqeshi klientit,” degjohet qe thotë ai.
“Baba ajo duhet ta bëjë këtë, është pjesë e punës së saj,” i përgjigjet Amina.

“Ajo është në telashe tani,” përgjigjet ai.
Problemet me të atin ishin të vjetra. Kur ishin më të reja vajzat thanë në polici se ai i abuzonte seksualisht. Ato u kishin thënë njerëzve të ishin të tmerruara nga çfarë mund t’u bënte një ditë.

“Unë i dija frikën e kërcënimet e vazhdueshme,” thotë Ruth Trotter, djali i të cilës shoqërohej me Amina. “Ajo na thoshte përherë se një ditë babai do ta vriste.”

Më në fund në dhjetor 2007, nëna e tyre Patricia, vendosi të merrte bijat për t’u larguar nga Said.

Vajzat e nëna e tyre u fshehën për disa ditë në Oklahoma por natën e fundvitit Patricia u kthye te Yaser.
Amina iu lut të mos shkonte por Patricia insistoi.

Dhe në 1 janar 2008, Yaser detyroi vajzat të shkonin me të për darkë.
Policia thotë se ai i çoi me taksinë që kishte marrë nga një mik në Omni Hotel, dhe aty i vrau.

Amina u qëllua dy herë në gjoks kurse Sarah, më e vogla ishte qëlluar nëntë herë.

Sarah arriti të telefononte për ndihmë dhe emëroi babanë e saj si vrasësin.
Pas telefonatës nisi një kërkim masiv për vajzat por asokohe teknologjia ishte e kufizuar dhe telefonata nuk mund të gjurmohej.

FOTO GALERI
2/3
Said ishte i zemëruar pasi vajzat e tij shoqëroheshin me djem jo-muslimanë.

Top Channel