Tre muaj pas vrasjes së George Floyd në SHBA shpërthejnë sërish protestat antiracizëm dhe këtë radhë shkak u bë rasti i 29-vjeçarit me ngjyrë, Jacob Blake në Kenosha, ku një polic e qëlloi e me armë zjarri 7 herë duke e plagosur rëndë. 

Basketbolli amerikan dhe jo vetëm iu bashkua këtyre protestave teksa bojkotoi ndeshjet e radhës së playoff-it. Skuadra që ndërmori këtë nismë ishte Milwaukee Bucks që vendosi të mos zbriste në parket për sfidën e pestë ndaj Orlandos, ndërkohë që nuk u zhvilluan as ndeshjet e Houston me Oklahoma City dhe LA Lakers me Portland Trail Blazers.

Nga ana e tyre drejtuesit e NBA-së nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter bëri të ditur se këto 3 ndeshje vetëm janë shtyrë për një datë të mëvonshme dhe nuk janë anuluar. Basketbollistët e Milwaukee dolën me një deklaratë teksa bënë të ditur vendimin e tyre për të bojkotuar këtë ndeshje pas plagosjes së Blake, një gjest që u përshëndet nga zëvendëspresidenti i Milwaukee Alex lasry.

“Disa vlera janë më të mëdha se basketbolli dhe ky organizim tregon se na ka ardhur në majë të hundës. Kjo është e tepërt. Duhet të bëhen ndryshime. jam krenar për lojtarët tanë, i mbështesim plotësisht dhe jemi gati t’i ndihmojmë për të bërë një ndryshim të vërtetë”, tha Lasry në një postim në rrjetet sociale.

Kërkesë për ndryshime bënë edhe yjet e NBA, LeBron James dhe Donovan Mitchell me postimet e tyre në rrjetet sociale. Por basketbolli në të vërtetë nuk ishte i vetmi sport amerikan që vendosi të bojkotojë aktivitetet. Në tenis, Naomi Osaka vendosi të mos luajë gjysmëfinalen e saj ndaj Elise Mertens në WTA New York, ndërkohë që janë shtyrë edhe 3 ndeshje të Major League Baseball dhe 5 sfida të Major League Soccer.

Top Channel