Skuadra e re e Messit?! Man.City në “pole”, Interi pas dere…

26/08/2020 19:42

E ardhmja e Lionel Messi-t ndodhet në një udhëkryq. Nga njëra anë është futbollisti që kërkon me çdo kusht të largohet nga Barcelona, për më tepër me parametra zero, ndërsa nga krahu tjetër është klubi dhe drejtuesit e saj, të cilët nëse do të “kapërdijnë” këtë ikje, të paktën duhet të ngushëllohen me milionat që do të përfitojnë nga shitja e futbollistit më të mirë në botë.

Në këtë moment në poe-position qëndron Manchester City dhe Interi. Sipas mediave italiane që Mesi t’i bashkohet ish-trajnerit të tij Guardiola te Citiziens dhe mikut të tij të ngushtë Aguero, ka 40% shanse. Menjëherë pas City-t renditet Interi, e cila e ëndërron prej vitesh afrimin e yllit argjentinas.

Pronarët kinezë të zikaltërve kanë kërkuar mbështetje nga sponsorë të ndryshëm por edhe nga shteti kinez për të bërë këtë goditje të bujshme në merkato, që do të kishte efekte të jashtëzakonshme jo vetëm për Interin, por edhe për Kinën si shtet pasi emri i Messit mund të përdoret në fushata të shumta marketing.

Megjithatë zikaltërit mund ta tentojnë një goditje të tillë nëse Leo do të largohet nga Barcelona me parametër zero dhe jo duke paguar 700 milionë euro, siç thuhet në kontratën e tij. Diçka që e bën më të besueshëm një kalim të mundshëm të tij te skuadra e Antonio Contes, ka të bëjë me faktin që Messi dhe babai i tij kanë blerë shtëpi në Milano, shumë pranë selisë së Interit, ndërsa edhe taksat kanë lehtësira më të mëdha në Itali se në shtetet e tjera.

Interi deri më tani ka 20% shanse për të firmosur me Messin, po aq sa edhe PSG-ja që dëshiron t’ia bashkëngjisë dyshes Mbappe-Neymar për të fituar “Champions League”.

 

Top Channel