“Trump është mizor dhe pa parime”/ Publikohet regjistrimi i motrës së presidentit: Njeri që s’lexon

23/08/2020 13:40

Mbesa e Donald Trump-it, Mary ka regjistruar fshehurazi motrën e presidentit amerikan duke thënë se ai është mizor dhe pa parime.

Maryanne Trump Barry, 83 vjeçe, i ka bërë komentet shokuese në 2018-ën dhe 2019-ën. Atë duket se e shqetëson në mënyrë të veçantë politika që ndjek i vëllai lidhur me emigrantët dhe fakti që mijëra të mitur ndahen nga familjet e tyre.

Motra e madhe e shefit të Shtëpisë së Bardhë vë në pikëpyetje edhe nivelin e tij të inteligjencës, me pohimet se ai është një “njeri që nuk lexon”. Një prej momenteve më të forta të regjistrimeve, të siguruara nga “Washington Post”, përbën dhe konfirmimin se Maryanne ishte burimi i historisë së Mary Trump në librin e saj eksploziv të kujtimeve, sipas të cilës Trump ka paguar dikë tjetër që të bënte për të provimin e pranimit në universitet.

Në regjistrimin shokues, Maryanne shprehet se i bënte atij detyrat e shtëpisë dhe se e kishte shoqëruar me makinë nëpër New York në përpjekje për ta futur në kolegj, ndërsa më tej rrëfehet se ishte Joe Shapiro njeriu që bëri provimet për kreun aktual të shtetit. Trumpi reagoi duke thënë se nuk i bëhet vonë për të tilla pretendime.

Top Channel