Zjarret rrezikojnë banesat/ Digjen pyjet me ullinj në Peqin. Vatra të mëdha edhe në Gramsh

22/08/2020 15:18

Edhe këtë Gusht të nxehtë, pyjet në disa zona të Shqipërisë nuk i shpëtuan zjarreve, të cilat në shumicën e rasteve janë të qëllimshme ose nga pakujdesia.

“Kjo është ajo çfarë ka mbetur nga një zjarr masiv i 24 orëve të fundit këtu në kodrat e Peqinit. Janë 30 hektarë të përpirë nga flakët ku janë djegur edhe 4000 rrënjë me ullinj. Flakët e këtij zjarri kanë mbërritur deri në fund të kodrës ku janë të ndërtuara këto shtëpi.”

Kjo banore e Peqinit tregon për Top Channel situatën e rrezikshme që shkaktuan flakët pranë shtëpisë së saj.

“Me të vërtetë që ishte diçka e tmerrshme ishin flakë të shumta edhe kërcisnin ullinjtë. Frika na hyri në palcë. Zjarri ishte gati për të hyrë në banesë dhe faleminderit që erdhën shpejte zjarrfikësit dhe e shuan. Ishte diçka e tmerrshme tmerr i vërtetë.”

Julian Kosta kreu zjarrfikësve të Peqinit i tha Top Channel se u përballën me furinë e zjarrit të cilin era e përhapi me shpejtësi në kodrën afër spitalit, duke rrezikuar shumë shtëpi.

U desh mbështetja e zjarrfikësve nga Kavaja dhe Tirana për të vënë nën kontroll flakët.  Julian Kosota thotë se dyshohet për një zjarrvënie të qëllimshme nga barinjtë e zonës ose ndonjë gjuetar shpendësh. Policia lokale dhe prokuroria e Elbasanit vijojnë hetimit.

Deri më tani nuk ka asnjë të shoqëruar për këtë zjarr.Në qarkun e Elbasanit nuk janë vetëm kodrat e Peqinit që u përfshinë nga zjarret këto 48 orët e fundit.

Korrespondentja e Top Channel në Elbasan Bruna Kërcyku raporton se në zonën e  Gurit  të  Zi të Labinotit-Mal u desh ndërhyrja nga ajri për shuarjen e zjarrit ndërkohë një tjetër vatër zjarri është në pyjet e Gramshit.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile thotë se  zjarret kanë krijuar situata emergjente, duhet bashkërendim dhe koordinim strukturash.

Përmes një shkrese dërguar policisë së shtetit kërkohet, vënia para përgjegjësisë e zjarrvënësve.

Top Channel