Një vit pas përfundimit të investimit të Bankës Botërore për shmangien e shkarkimit të ujërave të ndotura përgjatë shëtitores bregdetare “Taulantia” deri në Currila, ende ka ujëra që derdhen të papërpunuara në Adriatik.

Ky tubacion, në hyrje të shëtitores “Taulantia” të Durrësit, prej vitesh, vazhdon të derdhet në det, dhe pse tani në sasi më të pakta, duke kthyer në vëmendje problemin.

Në një reagim zyrtar, Ujësjellës Kanalizime Durrës deklaron se deti është tërësisht i pastër. Janë mbyllur të gjitha derdhjet e ujërave të ndotura, që shkaktoheshin kryesisht nga restorantet që gjenden përgjatë vijës bregdetare të kësaj zone dhe përmes rrjetit të ri dërgohen në impiantin e përpunimit të ujërave në Shënavlash.

Ndërkaq në lidhje me këtë tubacion, që vijon derdhjen duke kundërmuar shpesh erën e pakëndshme të ndotjes, UKD sqaron se në një pjesë të mirë të qytetit bregdetar kanalizimet e ujërave të shiut janë bashkë me ujërat e zeza, ndaj kur ka rrebeshe shiu ato mbushen plot dhe një pjesë e tyre shkarkohet në det për të shmangur përmbytjet.

Edhe pse këto ditë gushti nuk ka reshje shiu, aq më pak rrebeshe, nga tubi vazhdon të derdhet ujë i papërpunuar në det. E vetmja zgjidhje për sistemimin e situatës do të ishte ndërtimi i një rrjeti të ri kanalizimesh të ndara në Durrës, veç për ujërat e larta e veç për ato të ndotura, ndërsa rehabilitimi i shëtitores së Durrësit, si dhe investime të tjera në infrastrukturën rrugore të Durrësit vijojnë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA