Çfarë ndodhi? Misteri i mbytjes së 17-vjeçares/ I riu i martuar në Angli, del ekspertiza (Detaje të reja)

21/08/2020 14:00

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur dy ditë më parë në Velipojë, ku 17-vjeçarja Enida Doda doli e pajetë nga deti, teksa bënte xhiro me motor uji nën shoqërinë e 25-vjeçarit Indrit Bajraktari.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka zbuluar se 17-vjeçarja humbi jetën nga mbytja.

Ndërkohë Indrit Bajraktari, tashmë i arrestuar, nuk ka vendosur të flasë për ngjarjen, ndërsa në media janë publikuar foto që tregojnë se ai ishte i martuar në Angli dhe partnerja e tij, në pritje të një fëmije. Besohet se me të renë, ai ishte njohur përmes rrjeteve sociale dhe se kishte ardhur ta takonte në Velipojë, ku vajza ndodhej për pushime me familjen prej tre ditësh.

Në ngjarjen që ndodhi të mërkurën, 17-vjeçarja, kishte hyrë në det në orën 2 bashkë me 25-vjeçarin, ndërsa ky i fundit kishte dalë prej andej, vetëm dy orë më pas. Fillimsht u raportua për mbytjen e Enidës. Dy të rinjtë që ndodheshin me motoskaf janë vonuar më shume se 30 minuta dhe kjo ka ngjallur dyshime te pronarët e motoskafit, të cilët janë futur në ujë me mjete të tjera për të parë se çfarë kishte ndodhur.

Aty kanë vërejtur se Bajraktari po dilte nga uji me not, ndërsa kishte lënë motoskafin në ujë dhe po ashtu edhe vajzën 17-vjeçare që kishte humbur jetën. Një ditë më pas, policia zbardhi ngjarjen duke vënë në pranga 25-vjeçarin. Fillimisht ai deklaroi se nuk mbante mend asgjë. Më pas i riu nga Postriba ka deklaruar se vajza kishte rënë nga motori. Po përse ai doli vetëm, la vajzën në det dhe tentoi të fshihte ngjarjen?

Top Channel