Në të dy spitalet Covid vijon beteja për të shpëtuar jetën e të prekurve nga Covid19. Krahas medikamenteve dhe intubimit mjekët apelojnë për dhurim gjaku nga ata të cilët janë shëruar prej Covid-19.

Deri mesditën e kësaj të enjteve 6 persona kanë dhuruar gjak duke iu përgjigjur thirrjes së ministrisë së shëndetësisë me moton “Bëhu Heroi Dikujt që ka nevojë për ty. Plazma juaj mund të shpëtojë jetën e të sëmurëve me Covid-19”. Irena Seferi zëvendësdrejtore teknike në qendrën kombëtare të transfuzionit të gjakut i tha Top Channel-it se marrja e plazmës konvalishente ka disa kritere të ndërtuara përmes protokolleve të përbashkëta me universitetin e Pavias.

“Këto kritere përveç atyre standarde të seleksionimit të dhuruesve të gjakut janë edhe kriteret e dokumentimit të shërimit nga Covid-19 që duhet ta ketë çdo dhurues ditën që vjen për të dhuruar dhe duhet të ketë të paktën 23 ditë nga dita e shërimit pra dita pa simptoma. Një tjetër kriter i rëndësishëm është se dhuruesit duhet të jenë meshkuj  ose femra që nuk kanë patur më përpara shtatzëni.”

E pyesim zonjën Seferi se kur do të fillojë përdorimi transfuzionit të gjakut tek të sëmurët me Covid-19.

“Përdorimi do të fillojë menjëherë pasi ne të kemi përgjigjet për titrat e këtyre dhurimeve dhe ato  që do të plotësojnë kriterin do të fillojnë të përdoren menjëherë kuptohet sipas kërkesës së bërë nga mjeku klinicist. Është mjeku klinicist, i cili vendos se në cilin moment të sëmundjes së tij ka nevojë pacienti të marrë plazmën konvalishente nëse ka, pasi plazma konvalishente është një prej terapive nuk është ajo vetëm që shëron të sëmurët.”

Një prej 6 dhuruesve të parë të gjakut ishte edhe drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, i cili u prek dhe u shërua nga Covid-19.

 

 

 

Top Channel