Koronavirusi, trajtimi me plazmë/ Kreu i Urgjencës dhuron gjak: Të ndihmojmë të shtruarit në spital

20/08/2020 13:21

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka dhuruar gjak, një veprim ky që vjen një ditë pas apelit të bërë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, për dhurimin e gjakut, pas nisjes së trajtimit të terapisë së re me plazmë kundër koronavirusit.

Në një video-mesazh të publikuar në “Facebook” nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Brataj thekson se “kjo është një iniciativë që duhet të përqafohet nga të gjithë ata që kanë kaluar koronavirusin, të grumbullohet sa më shumë gjak, me qëllim që të gjithë pacientët e shtruar në spital, që do të kenë nevojë për trasfuzion, ta kenë atë”.

Ndërkohë, ministrja Manastirliu shkruan:

“#Krenare për ekipin e mjekëve, që edhe me shembullin vetjak, tregojnë vlerat e solidaritetit dhe humanizmit. Dr. Skënder Brataj i është bashkuar nismës “Bëhu hero për dikë që ka nevojë”, për të dhuruar gjak, që do të shërbejë për trajtimin e pacientëve me COVID19. Bëhu edhe ti #hero për dikë që ka nevojë për ty! ?Dhuro gjak/plazmë!”

Top Channel