Gjobë për kafshët dhe ndotësit/ Bashkia e Gjirokastrës vendos sanksione për qentë, bagëtitë dhe ndotësit e ambientit

20/08/2020 15:49

Në Gjirokastër këshilli bashkiak i dha rrugë për herë të parë një pakete masash administrative që shkojnë këtë herë për pronarët e kafshëve shtëpiake për ndotësit e mjedisit dhe për shkaktarët e dëmeve publike të të gjitha llojeve.

Paketa është interesante në planin që për herë të parë merr një seri masash për kafshët shtëpiake. Bëhet fjalë për qentë e racave të rrezikshme si husky, pitbull, rotwailer, qentë e sharrit apo bokser, të cilët që prej këtij momenti do të duhet të dalin në publik me maska përndryshe pronarët e tyre do të ndërshkohen me gjoba të larta.

Paketa e re e masave administrative u bë objekt komentesh por edhe humori ditët e fundit në qytetin e Gjirokastrës, pasi shumë qytetarë e gjejnë të pavend fakton që qentë dhe kafshët e tjera shtëpiake nuk do duhet të shkaktojnë zhurma për mjediset në bashkëpronësi.

Por nga ana tjetër masat janë mirëpritur në sensin që kafshët blegtorale sidomos delet dhe dhitë që janë tipike në zonat e sipërme të qytetit janë bërë objekt shqetësimesh të vazhdueshme. Kafshët blegtorale kanë qenë mes dëmtuesve kryesorë të pemë të mbjella së fundi prej bashkisë së Gjirokastrës.

“Janë përcaktuar masat që do të merren në rastin kur banorët mbajnë kafshë blegtorale, bagëti. Atyre që kanë kafshë ju është caktuar një afat për ti larguar ato nga pjesa urbane”, shprehet Nertil Nebiaj, shef i kabinetit.

Për herë të parë masat administrative do të prekin edhe ndotësit e mjedisit të cilët ishin imunë prej gati 30 vitesh në Bashkinë e Gjirokastrës. Kështu do të gjobiten të gjithë ata që hedhin jashtë koshit mbetjet urbane me gjoba që shkojnë në 5000 lekë ndërsa do të ketë penalitete për të gjithë dëmtuesit e rrjetit të energjisë elektrike apo ujësjellësit me gjoba që shkojnë në 15000 lekë të reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA