Pjesë të grupeve kriminale/ OFL-ja “godet” në Shkodër, këta janë 2 të piketuarit e radhës (EMRAT)

19/08/2020 12:02

Në vijim të Operacionit Forca e Ligjit u janë nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, dy shtetasve.

Bëhet fjalë për Sirjan Alija, banues në Shkodër,​ i dënuar për veprat penale “Grupi i stukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale e grupi i strukturuar kriminal” dhe Safet Rustemi (Rrustemi), banues në Shkodër, i dënuar për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Top Channel