“Të fillojë përgatitja për shtatorin”/ Shahini pro hapjes së shkollave, Manastirliu: Parakusht zbatimi i protokolleve të sigurisë

18/08/2020 13:17

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dolën në një konferencë të përbashkët sa u takon protokolleve dhe masave paraprake për hapjen dhe ecurinë e vitit të ri shkollor.

Kemi zhvilluar një pyetësor për shkollat te nxënësit, prindërit dhe mësuesit, 87% mendojnë se duhet të kthehemi në shkollë në fillim të vitit shkollor dhe vetëm 13% duan kushte shtëpie. Ne pajtohemi me ju dhe prandaj kemi zhvilluar disa skenarë për mundësinë e hapjes së shkollave në varësi të shkollës, numrit të nxënësve, gjendjes së shkollave dhe nevoja të komunitetit për të qenë fizikisht në shkolla. Skenarët janë të ndryshëm, ka shkolla që mund të vijojnë normalisht ku mund të ruhet distancimi, ku ka pak nxënës, ka shkolla që punojnë me një turn, por do i ndajmë me grupe të vogla, ka shkolla të tjera në zonat e tërmetit që ka numër të madh që duhet të organizohen në një formë tjetër për kthimin në shkollë dhe ruajtjen e distancimit social, duke i ndarë në më shumë turne ose duke i çuar në shkollat më të afërta. Ne kemi bërë një pilotim të kthimit të nxënësve në shkollë për maturantët në maj, funksionon si proces. Ne mund të ruajmë shëndetin duke i hapur shkollat me shumë kujdes. Gjermania dhe Zvicra i bënë hapjen e shkollave pa bërë shumë ndryshime në strukturat e tyre ngaqë kanë klasë me numër të vogël të nxënësve. Franca do i ndajë në grupe. Vendet e rajonit do i hapin pjesërisht. Ne duam ti hapim për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave, që kanë shkollat duke e kombinuar me mësimin online kur duhet të mbyllet një shkollë, apo një grup shkollash. Bashkitë duhet të fillojnë pastrimin e shkollave dhe përgatitjen për në shtator”, u shpreh Shahini.

Nga ana tjetër, Manastirliu tha:

“Grupet tona të ekspertëve janë në komunikim të vazhdueshëm, për një detajim të protokolleve të sigurisë, ku përfshihen masat e distancimit social, kushtet higjieno-sanitare, si dhe çdo masë që garanton kufizimin e përhapjes së virusit. Ndaj çdo vendim për hapjen e shkollave po koordinohet me përgjegjësi maksimale nga institucionet përgjegjëse për garantimin e masave të distancimit social dhe sigurisht duke vlerësuar në dinamikë situatën epidemiologjike. Nga pikëpamja epidemiologjike, nga vlerësimet sistematike të kryera nga Qendra Europiane e Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve, rezulton se “transmetimi i sëmundjes në shkolla ka qenë i rrallë dhe nëse merren masat e duhura të distancimit fizik, higjienës dhe masa te tjera, ato kanë pak gjasa që të jenë mjedise efektive të shtimit të transmetimit të virusit, më shumë se sa vendet me densitet të njëjtë të njerëzve, si për shembull në vendet e punës apo vendet argëtuese”.

Duke theksuar se qëllimi madhor mbetet siguria dhe shëndeti i fëmijëve, arsimtarëve, prindërve, gjyshërve dhe të gjithë qytetarëve, ministrja e Shëndetësisë kërkoi bashkëpunimin e çdo qytetari për zbatimin e rregullave që dikton normaliteti i ri.

“Sa i përket ecurisë së pandemisë, e vetmja konstante që ka një ndikim të drejtpërdrejtë është sjellja njerëzore. Që do të thotë se zbatueshmëria e të vetmeve armë që ne kemi në dorë sot, që janë distancimi fizik, higjiena dhe masat e tjera mbrojtëse, janë parakusht edhe për hapjen e institucioneve arsimore. Edhe njëherë kërkojmë bashkëpunimin e secilit prej jush për zbatimin e rregullave që na dikton normaliteti i ri, për të kufizuar përhapjen e virusit, duke mos harruar që shëndeti vjen i pari”, deklaroi Manastirliu.

Top Channel