Momentet e fëmijërisë të kaluara tek gjyshja ose të afërmit në fshat mbeten më mbresëlënëset. Pjesë e këtyre momenteve janë padyshim pemët. E mbani mend shijen e mrekullueshme të arrave të njoma dhe gjurmët e lagështa që na linin nëpër gishta? Këto arra të shijshme mund të ruhen gjatë gjithë vitit, disa i ngrijnë e disa i ruajnë kryesisht në formën e glikosë.
Kujtimet mund të fashiten por shija e arrave të njoma jo, ndonëse tani jemi më shumë të mësuar me shijen e arrave të thata. Me një kërcitje të vetme, arrat shpalosin vlera dhe fantazi. Ato mund t’i hamë siç janë, t’i hedhim në sallatë ose t’i gatuajmë në ëmbëlsira. Arrat e njoma nga ana tjetër kanë një shije të pakrahasueshme dhe të rrallë. Ato janë kremoze, kanë një ngjashmëri me arrën e kokosit por me një aromë unike të lehtë prej arrori.
Për më tepër, këto arra janë më të mbushura dhe më të ëmbla se varianti i tyre i thatë. Në mjekësinë popullore, arrat e njoma përbëjnë një zgjidhje të rëndësishme kundër disa sëmundjeve. Të thatat por edhe të njomat janë plot me vlera shëndetsore. Ato janë të pasura me acidet yndyrore omega-3 dhe një burim i pakonkurueshëm i acideve yndyrore mono-të-pangopura (72%) siç është acidi oleik. Ngrënia e arrave ul kolesterolin e keq dhe rrit atë të mirin.
Konsumi ditor prej 25 gramë plotëson 90 përqind të dozës së rekomanduar ditore të këtyre acideve që mjaftojnë për pakësimin e gjasave të shfaqjes së tensionit të lartë të gjakut dhe sëmundjeve të zemrës. Nga ana tjetër, arrat fuqizojnë shtyllat e organizmit tonë siç janë kockat.
Arrat shumëfishojnë përthithjen dhe depozitimin e kalciumit dhe pakësojnë nxjerrjen e këtij minerali jashtë organizmit
Një tjetër vlerë e shtuar e konsumit të arrave qëndron në përmirësimin e metabolizmit. Arrat ofrojnë minerale si mangani, bakri, kaliumi, kalciumi, hekuri, magnezi, zinku dhe seleniumi. Këto minerale kontribuojnë në mirëqenien e metabolizmit, rritjen dhe zhvillimin, fertilitetin tek meshkujt, tretjen dhe sintetizimin e acidit nukleik.
Arrat janë një burim i pasur antioksidantësh dhe yndyrnash të shëndetshme. Ato pakësojnë faktorët e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, gjithnjë nëse janë pjesë e një stili të shëndetshëm jetese. Shumë studime me subjekt njerëzit tregojnë se ngrënia e arrave përmirëson funksionet e trurit, lufton depresionin dhe frenon problemet mendore si pasojë e moshës. Thënë shkurt, arrat janë një ushqim fantastik i jetëgjatësisë.
Çuditërisht, arrat janë një burim i lartë i melatoninës, një ushqyes i lidhur fort me gjumin. Thënë ndryshe, pa melatoninën nuk ka gjumë. Rrjedhimisht ngrënia e arrës luan një rol në qetësimin gjatë ditës dhe në gjumin e mirë dhe të qetë gjatë natës. Arrat përmbajnë acide esenciale yndyrore siç është edhe acidi alfa linolenik, përbërësit e të cilit janë të lidhur me fortësinë dhe shëndetin e kockave. Falë arrave, ne furnizohemi me acidet yndyrore omega 3, nëpërmjet të cilave luftojmë inflamacionin dhe kemi kocka të forta për një periudhë të gjatë./AgroWeb.
Top Channel