Sot përballje titanësh/ Leipzig, ‘përralla’ e Champions

14/08/2020 10:37

Leipzig kaloi në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve pas një fitoreje surprizë por të merituar ndaj Atletikos së Madridit, duke u cilësuar tani e vetme si përralla e turneut elitar këtë sezon. Skuadra e drejtuar nga trajneri Nagelsman u imponua 2-1 ndaj favoritëve të argjentinasit Simeone, e tani kalon mes 4 më të mirëve ku do të masë forcat me Paris Sën Zhermen.

Pas një pjese të parë të ekuilibruar, aksionet kulmore u regjistruan në fraksionin e dytë fillimisht me avantazhin e Dani Olmo që gjeti përgjigjen e Zhoao Feliks nga pika e bardhë e penalltisë. Rrjeta që vlejti suksesin historik të gjermanëve erdhi nga amerikani Tajler Adams, një fitore që i dha të drejtë atyre që guxuan përtej limiteve, të diktuar nga trajneri 33 vjeçar Nagelsman.

Sot në mbrëmje Gjermania ka shansin ti shtojë një tjetër skuadër gjysmëfinaleve por për këtë Bajerni i Mynihut do të duhet të impenjohet në një duel titanësh me Barcelonën. Dy ekipet favorite për Ligën e Kampioneve luajnë sot në orën 21:00 në Lisbonë kanë gjysmë dekade pa u përballur me njëri tjetrin në këtë turne, me të fundit herë që i dha katalanasve të drejtën e kualifikimit.

Si Barça ashtu dhe Bajern e klanë fituar nga 5 herë trofeun, dhe në këtë fazë të kompeticionit vijnë për herë të 18, më shumë se cdo skuadër tjetër europiane.

Top Channel