PSG në listë prej covid/ Choupo-Moting, hero i rastësishëm

14/08/2020 13:14

Ekspertët e futbollit europian nuk kishin dyshime se cili prej Paris Saint-Germain apo Atalantës ishte më i fortë, por jo pak njerëz sugjestionoheshin nga kalimi potencial magjik i skuadrës italiane në gjysmëfinale. Ëndrra e ekipit “outsider” nuk u realizua pas suksesit 2-1 të parizienëve në Ligën e Kampioneve, pasi gjigantët transalpinë iu falën golit të Eric Maxim Choupo-Moting.

Ai po cilësohet një hero i pazakonshëm dhe i rastësishëm i paris Sën Zhermenit, një lojtar mesatar dhe i zëvendësueshëm sipas mediave franceze, që u la jashtë listës së Champions në Janar, e madje suksesin ndaj Borusias së Dortmundit e pa si spektator. Por bota e futbollit ashtu si cdo aspekt, u trondit nga pandemia, sezoni u ndal, sulmuesi Edinson Kavani vendosi të mbyllë epokën me parizienët e kështu në mënyrë surprizë, erdhi koha e Choupo-Moting.

Lojtari i Paris Saint-Germain zgjidhi një cerekfinale të sikletshme ndaj Atalantës, por nëse nuk do ishte koronavirus, ndoshta ai nuk do ishte në fushë. Një kamerunas i natyralizuar si gjerman dhe me një rol sulmuesi që shpesh kamuflohet edhe në mesfushë, lojtari vuan për të gjetur hapësira në një repart që ka emra si Mbape;, Nejmar, Ikardi, Di Maria apo Sarabia.

Por pikërisht kur askush nuk e priste, pandemia, largimet dhe situata aspak e zakonshme, i dha atij një rol heroi, që shpreson do ta cojë Parisin në kupën që ëndërron prej vitesh.

Top Channel