Trump: Do të ulim taksat mbi pagat deri në fund të vitit

13/08/2020 09:20

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump u zotua të mërkurën se do të eliminojë taksën e pagës në një veprim që mund të ketë pasoja shumë të mëdha për programet e sigurimeve shoqërore.

Ai tha se taksa e pagave janë “shumë para” dhe se sipas planit të tij, “kjo shkon drejt te njerëzit” dhe do të ishte një ndihmë për kompanitë.

“Ne do t’i japim fund taksës së pagave pasi që shpresoj të zgjidhem”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke sugjeruar se kjo do t’i rrisë të hyrat familjare të punëtorëve deri në 5.000 dollarë.

Taksat e pagave përdoren për të financuar programin e sigurimeve shëndetësore “Medicare” dhe Administratën e Sigurimeve Shoqërore, e cila merret me pagesa për pensionistët dhe punëtorët me aftësi të kufizuara.

Mbetet e paqartë se si Trump do të kompensojë mungesat në programet kritike.

Në pyetjen e gazetarit, Trump citoi atë që tha se do të ketë një “rritje të madhe” nëse rizgjidhet, por mbetet mjaft e paqartë se si, nëse materalizohet, do të ndihmonte për të financuar programet qeveritare.

Ai gjithashtu potencoi tërheqjen e parave nga të ardhurat e përgjithshme të qeverisë, por gazetari theksoi se ata tashmë kanë deficite prej afro 3 trilionë dollarë pa kostot shtesë që lidhen me programet.

Trump gjatë fundjavës ndërmori veprime ekzekutive për të shtyrë taksën e pagave, diçka që ai prej kohësh e kërkonte, duke përmendur ngecjet me Kongresin për formulimin e një projekt-ligji të ri të stimulit të koronavirusit. Por, ndërsa urdhri i tij mund të ndalojë taksat për tani, ato nuk falen dhe do të duhet të bëhen pas përfundimit të vitit.

Dhoma Amerikane e Tregtisë më herët të mërkurën i dërgoi një letër Sekretarit të Thesarit, Steven Mnuchin duke i kërkuar atij të sqarojë urdhëresën dhe zbatimin e tij.

“Ndërsa Urdhri Ekzekutiv i lëshuar kohët e fundit për shtyrjen e taksave mbi pagat është i destinuar për të siguruar lehtësim, ai ka ngritur shqetësime serioze si për punëdhënësit ashtu edhe për punonjësit”, shkroi Caroline Harris, nënkryetare e Dhomës për politikën e taksave dhe zhvillimin ekonomik.

“Jo vetëm që Urdhri Ekzekutiv i pagave është i rrethuar nga pasiguria në lidhje me zbatimin e saj, por ai krijon një detyrim të konsiderueshëm tatimor për punonjësit në fund të periudhës së shtyrjes”, shtoi ajo.

Top Channel