Strategjia e Johnson/ Të luftojë Covidin me ulje peshe

13/08/2020 15:20

Strategjia më e fundit e Boris Johnson për të luftuar koronavirusin, synon ta bëjë Britaninë më të shëndetshme, por aktivistët janë të shqetësuar për pasojat që politika do të ketë tek jeta e njerëzve me çrregullime ushqimi.

Qeveria e Johnson lancoi strategjinë e saj “për një shëndet më të mirë” në përpjekje për të luftuar nivelet e larta të obezitetit në vend në mesin e pandemisë.

Britania ka një prej shkallëve më të larta të obezitetit në botë dhe thuajse një në tre të rritur që klasifikohen si obezë sipas OECD.

Në angli, 11,117 shtrime në spital i atribuoheshin obezitetit në vitet 2018-2019. E dhëna është veçanërisht shqetësuese për zyrtarët tani në mesin e pandemisë. Të qenit obezë ose mbi peshë, rrit rrezikun e vdekjes nga Covid 19, sipas autoriteteve të shëndetit publik.

Qeveria britanike, beson se 63 për qind e të rriturve janë mbi atë që mund të konsiderohet një peshë e shëndetshme. Masat e reja të saj përfshijnë kështu ndalimin e reklamave për ushqimet jo të shëndetshme para orës 9 të mbrëmjes, mjete për të ndihmuar njerëzit të humbin peshë dhe një propozim që i kërkon restoranteve të tregojnë se sa kalori kanë pjatat e tyre.

Si pjesë e strategjisë, Johnson ka folur për humbjen e tij të peshës dhe shtrimin e tij në spital me koronavirus më herët këtë vit. Isha shumë i shëndoshë – tha Johnson – dhe rrezikova më shumë. Nëse mund të ulni pak peshën tuaj, dhe të mbroni shëndetin tuaj, do të mbroni njëkohësisht edhe sistemin e kujdesit shëndetësor – tha ai.

Top Channel