Kandidati presidencial demokrat, Joe Biden, dhe kandidatja e përzgjedhur prej tij për zëvendëse Kamala Harris, kanë sulmuar presidentin Donald trump duke e quajtur një lider jo kompetent që ka rrënuar SHBA.

Të dy ata u shfaqën në të parin event zgjedhor së bashku, një ditë pasi Biden zbuloi përzgjedhjen e tij.

Eventi në Uilmington, të Delauerit, nuk ishte i hapur për publikun, me 77-vjeçarin Biden që tha se kjo ishte bërë me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Të dy kandidatët dolën në skenë me maska mbrojtëse dhe iu drejtuan një grupi të distancuar gazetarësh po me maska.

Biden, vuri në pah se Harris, senatore e Kalifornisë, është e para grua me ngjyrë që shërben si bashkudhëtare presidenciale për një parti të madhe amerikane.

“Zgjedhja që do të bëjmë ne këtë nëntor, do të vendosë të ardhmen e Amerikës për një kohë shumë të gjatë. Donald trump ka filluar me sulmet e tij, e kjo nuk habit aspak. Askush nuk mund të habitet nga fakti se ai ka një problem me një grua të fortë”, tha Biden. Ai po ashtu e sulmoi trump edhe për mënyrën se si po e menaxhon pandeminë e koronavirusit, qëndrimet ndaj ndryshimeve të klimës, shkallën e papunësisë dhe retorikat e tij që thellojnë ndasitë në vend.

Ndërsa Harris, bijë emigrantësh nga India dhe Xhamajka, tha se Amerika po ulëret për leadership pasi ka një president që kujdeset më shumë për veten se sa për ata që e zgjodhën. Sipas saj, Trump trashëgoi një Amerikë në zgjerim të madh ekonomik nga Barak Oama dhe Joe Biden. Dhe sic bën me çdo gjë që e ka trashëguar, ai e rrënoi. E kjo sipas Harris ndodh kur zgjedh një njeri të papërshtatshëm për detyrën. Vendi është rrënuar dhe po ashtu edhe reputacioni i tij në botë.

Top Channel