Vetëm 300 metra larg Infektivit, ku kurohen të prekurit me koronavirus ndodhet shërbimi onkologjik, ku që prej orëve të para të mëngjesit, qytetarë të shumtë, jo vetëm nga Tirana por edhe qytete të tjera të vendit presin të marrin shërbimin e nevojshëm, shërbim të cilin nuk e kanë marrë.

Ata presin me radhë duke mos respektuar asnjë nga masat Covid e duke mos marrë asnjë përgjigje.

“Jam nga Gjirokastra, jam nisur që në 5, në 8 isha këtu. Emrat s’po na i thërrasin u bë dy orë e ca unë rri këtu. Unë jam me rekomandim në 11 gusht duhet të jem këtu. Vdiqa do më bjerë të fikët. Asgjë nuk thonë. Prisni prisni prisni … kur t’u dojë qejfi!”

“Unë jam nga Tirana po motra më erdhi nga Fieri që në 7:30 dhe këtyre në atë orë u ra ndërmend ta dezinfektonin onkologjikun se nuk kishin kohë. Jo kemi një me Covid-19, ata gënjejnë.”

“Jam futur brenda në 9:30, mora te recepsioni faturën, tani duhet të shkoja normalisht te mjekja te kimioterapistja. Nuk më lejojnë, thanë që do dezinfektohet do prisni një orë, ne pritëm një orë, dy orë dhe ja këtu ku me shikoni jam. Unë pa bërë gjilpërën nuk iki në Tepelenë.”

Situata nisi të qetësohej pas pranisë se kamerës së Top Channel, ku veç shpërndarjes së personave në mënyrë që të respektohej distanca, infermierët nisën të bënin apelin e të fusnin në ambientet e brendshme të Onkologjikut, qytetarët një e nga një.

Top Channel