Letërporosi nga Amsterdami për SPAK/ Trafik droge në Holandë, këta janë shqiptarët pjesë e grupit kriminal (EMRAT)

11/08/2020 11:25

Prokuroria e Amsterdamit ka informuar se në Holandë janë duke u hetuar shtetasit shqiptarë Ilirjan Memia, Valentin Selaj, Florenc Guri, Erion Koleci, Ded Pjetri dhe Jorgo Wajtaszczyk për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale”.

Një pjesë të pasurive të fituara si rrjedhojë e aktivitetit kriminal dyshohet se këta shtetas i kanë transferuar në Shqipëri duke kryer investime të ndryshme.

Sipas letërporosisë nga hetimet e kryera në Holandë kakëta shtetas prej disa viteve kanë aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë, duke e trafikuar atë nga vendet e Amerikës Latine për në portin e Amsterdamit dhe me pas në vendet e tjera të Evropës si Angli, Itali etj.

Gjatë këtyre hetimeve, këtyre shtetasve u janë sekuestruar sasia prej 97 kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe 16 kg heroinë. Objekti i kësaj letërporosie ka qenë kryerja e verifikimeve pasurore për këta shtetas dhe familjarët e tyre në Shqipëri si dhe kryerja e verifikimeve dhe mbledhja e të dhënave që mund të çojë drejt zbulimit të pasurive të këtyre shtetasve në shtete të tjera.

Mbi këtë bazë SPAK ka regjistruar procedimin pasuror me numër 4 në ngarkim të shtetasit Valentin Selaj. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky person dhe familjarët e ngushtë të tij kanë në Shqipëri disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme që janë banesa, troje, toka bujqësore, llogari bankare dhe mjete motorike.

Në përfundim të procesit të verifikimeve pasurore, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kërkuar me datën 02.07.2020 Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar konfiskimin e pasurive si apartamente, troje, njësi shërbimi, nga Lezha e deri në Tiranë e përllogaritur në disa milionë euro.

 

Top Channel