Firmoset marrëveshja 95 milionë euro me Italinë/ Rindërtimi pas tërmetit, Ahmetaj: Brenda fundit të vitit…

11/08/2020 13:02

Është firmosur sot marrëveshja me qeverinë italiane për të materializuar angazhimin që Italia mori në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve që t’i ofrojë Shqipërisë prej 95 milionë euro, nga të cilat 5 milionë euro grant për rindërtimin e objekteve publike, që dolën jashtë funksionit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Marrëveshja u firmos nga ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe ambasadori italian, Fabricio Bucci.

“Kredia e butë prej 90 milionë euro do të angazhohet në sektorin e energjisë, për përmirësimin e mëtejshëm të linjave të transmetimit, në zhvillimin e ekonomisë së detit, për përmirësimin e infrastrukturës portuale dhe peshkimit, në rritjen e kapaciteteve për përballimin e fatkeqësive natyrore, me përmirësimin e flotës dhe fuqizimin e burimeve njerëzore të emergjencave civile, ku eksperienca e mirënjohur botërisht e Italisë dhe asistenca e vëllezërve italianë, do të jenë një ndihmë e çmuar për Shqipërinë”, u shpreh Ahmetaj.

Ministri theksoi se brenda fundit të vitit pritet miratimi i gjithë paketës për të cilën është rënë paraprakisht dakord.

Top Channel