“Shembeni pallatin tonë”/ Banorët e një pallati të dëmtuar në Durrës kërkojnë ekspertizë të huaj

10/08/2020 15:24

Procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit në Durrës po përballet me reagime të shumta nga ana e banorëve, të cilët kryesisht kërkojnë ekspertiza të thelluara dhe të sakta për objektet e tyre të banimit.

Në lagjen nr.9 të Durrësit, së fundmi banorët po kundërshtojnë vendimin për shembjen e pallatit të tyre në mënyrë arbitrare, ndërsa banorët e këtij pallati 7-katësh në lagjen nr.5 kërkojnë ekspertizë të thelluar dhe prishjen e objektit që ka pësuar devijim të dukshëm të përcaktuar dhe nga ekspertët e huaj që e kanë parë objektin menjëherë pas tërmetit.

“Jemi banorë të pallatit 2008 dhe duam ekspertizë të thelluar, pasi është mënjanuar 78 cm. Unë banoj në katin e 7-të. Ky nuk është për riparim, po për prishje. Jemi 32 familje”, shprehen banorët.

“Kërkojmë nga Instituti i Ndërtimit dhe bashkia të dimë çfarë duhet të bëjmë, po bëhet gati një vit dhe ne nuk dimë se çfarë do të bëjmë. Edhe bonusi i qirasë nuk na kalon në mënyrë të rregullt. Këtë pallat përveç ekspertëve italianë e kanë vlerësuar edhe ata amerikanë nga universiteti i Minesota-s e kanë thënë se përbën rrezikshmëri të lartë pallati.”

“Kemi një vit që rrimë këtu e presim të bëhet ekspertizë e thelluar dhe nuk vijnë. Shteti jep bonus, ndenjëm dhe në hotel dhe nuk vjen ta shohë. Në letra thuhet se është 55 cm i anuar pallati.”

Tërmeti i 26 nëntorit dëmtoi 850 pallate në Bashkinë e Durrësit, e cila kërkoi ekspertizë të thelluar për 105 prej tyre. Sipas akt-ekspertimeve të Institutit të Ndërtimit, 34 prej pallateve të dëmtuara janë për t’u shembur, ndërsa pjesa tjetër për riforcim. Megjithatë banorët janë dyshues në vlerësimin e nivelit real të dëmeve në pallatet e tyre, ndërsa informacioni pranë njësive administrative të tyre të banimit është i pakët.

 

 

Top Channel