Kërkimet në Mesdhe/ BE: Operacionet turke, shqetësuese

10/08/2020 14:19

“Rifillimi i kërkimeve të Turqisë për naftë dhe gaz në Mesdheun lindor, është ekstremisht shqetësues”, tha Bashkimi Evropian pasi Greqia dhe Egjipti krijuan një zonë ekskluzive ekonomike në rajon.

“Mobilizimi më i fundit detar në Mesdheun lindor do të çojë në një antagonizëm dhe mosbesim më të madh”, tha shefi i politikës së jashtme në BE, Josep Borrell, duke e quajtur zhvillimin ekstremisht shqetësues.

Kufijtë detarë- sipas tij – duhen përcaktuar përmes dialogut dhe negociatave, jo përmes veprimeve të njëanshme dhe mobilizimit të forcave detare. Zbulimi i rezervave të gjera të gazit në rajon, vitet e fundit, ka ndezur një përplasje të fortë mes Greqisë, Turqisë dhe Egjiptit, por edhe Qipros dhe Izraelit. Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, njoftoi të premten rifillimin e operacioneve të Ankarasë duke akuzuar Greqinë se nuk po mbante premtimet e saj.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi Athina dhe Kajro nënshkruan një marrëveshje për krijimin e një zonë ekskluzive ekonomike në rajon. Por Borrell thotë se mosmarrëveshjet duhen zgjidhur në pajtim me ligjin ndërkombëtar duke shtuar se Brukseli është i angazhuar për të ndihmuar në zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeve në një zonë me interesa jetësore sigurie. Sipas tij, veprimet aktuale nuk janë në interes të Bashkimit Evropian dhe as të Turqisë. Ne duhet të punojmë bashkë për sigurinë në Mesdhe – tha ai. Marrëveshja mes Greqisë dhe Egjiptit, që ka si qëllim vendosjen e kufijve detarë mes dy vendeve, duket si një reagim direkt ndaj një marrëveshjeje të ngjashme të arritur në nëntor mes Turqisë dhe qeverisë të njohur nga OKB në Libi. Ajo marrëveshje zgjeronte territorin detar të Turqisë dhe tërhoqi akuza nga disa qeveri, mbi të gjitha Greqisë, se Ankaraja po përpiqej të vuloste dominimin në rajon.

Top Channel