Bejrut/ Nga shpërthimi u shkaktuan 137 viktima. Zemërim në gjithë vendin

06/08/2020 14:07

Njerëzit në Bejrut kanë shprehur zemërim ndaj qeverisë për neglizhencën e sa që sipas tyre ka çuar në shpërthimin e madh të së martës. Presidenti Michel Aoun, tha se shpërthimi u shkaktua nga 2750 tonë nitrat amoni që ishte mbajtur në mënyrë të pasigurt në një magazinë.

Shumëkush ka akuzuar autoritetet për korrupsion, neglizhencë dhe keqmenaxhim.

Shpërthimi ka vrarë të paktën 137 persona dhe ka lënduar më shumë se 5 mijë të tjerë.  Gjendja e jashtëzakonshme, për dy javë, ka nisur tashmë.

 Të mërkurën qeveria tha se një numër zyrtarësh të portit të Bejrutit ishin vënë në arrest shtëpie në pritje të një hetimi për shpërthimin.  Këshilli suprem i mbrojtjes thotë se personat që do të rezultojnë përgjegjës do të përballen me ndëshkimin maksimal. Ndërkohë, Amnesty International dhe Human Rights Watch kanë kërkuar një hetim të pavarur mbi shpërthimin.

Nitrati i amonit përdoret si fertilizues në bujqësi dhe si eksploziv po ashtu. Ai qëndronte në magazinën në Bejrut prej gjashtë vitesh pasi u shkarkua nga një anije e konfiskuar në 2013. Drejtuesit e portit të Bejrutit dhe ata të doganave kanë thënë për mediat se i kanë kërkuar disa herë autoriteteve të drejtësisë duke u kërkuar që kimikatet të eksportoheshin ose të shiteshin për të garantuar sigurinë e portit.

Forcat e sigurisë mbajnë të izoluar një zonë të gjerë rreth vendit të shpërthimit dhe skuadrat e shpëtimit kanë kërkuar për trupa dhe të mbijetuar nën rrënoja, ndërsa barkat kërkojnë në ujërat pranë bregut. Me dhjetëra persona ende mungojnë në apel. BE, Britania e Madhe, Rusia, Tunizia, Turqia, Irani dhe Katari kanë ofruar ndihmë ndërkohë që sipas autoriteteve lokale rreth 300 mijë njerëz janë mbetur të pastrehë në Bejrut për shkak të shpërthimit.

 

 

 

Top Channel