Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e sotme në Fushë Prezë, në kryqëzim me rrugën e Rinasit.
Një 71-vjeçar me inicialet A.B. është konstatuar i shtrirë në anë të rrugës pa shenja jete.
Paraprakisht dyshohet se i moshuari ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit, pasi ka dyshime se është qëlluar nga një mjet në lëvizje.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat policore dhe grupi hetimor. Po vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Tiranë/Informacion paraprak
Me datë 03.08.2020, rreth orës 16:45, në Fushë-Prezë, në kryqëzim me rrugën e Rinasit, në rrethana ende të paqarta dyshohet se është vrarë me armë zjarri shtetasi A. B. 71 vjeç, banues në fshatin Hametaq, Njësia administrative Prezë.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje , ku kanë bërë rrethimin e zonës, janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Rinas -Fushë-Krujë, Rinas-Vorë -Tiranë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Top Channel