Drejtuesit e Manchester City-t siguruan marrëveshjen me klubin e Bournemouthit, për mbrojtësin holandez Nathan Ake. “Sky blues” ranë dakord për të paguar plot 41 milionë stërlina për mbrojtësin e përfaqësueses holandeze, që do të vazhdojë të luajë në këtë mënyrë në Premier League. Një biznes shumë i mirë gjithashtu edhe për “cherries”, që do të kenë nevojë për para, pas rrëzimit në Championship, pas plot pesë sezoneve në elitën e futbollit anglez të klubeve.

“Qershitë” do të kenë të garantuar një shumë prej 40 milionë stërlinash, megjithatë drejtuesit e klubit jugor mund të përfitojnë gjithashtu edhe 1 milion stërlina të tjera nga bonuse të ndryshme. Pep Guardiola e justifikoi vazhdimisht në fillimin e edicionit të fundit diferencën e madhe që u krijua me Liverpoolin, pikërisht me dëmtimin e rëndë që pësoi në gju mbrojtësi francez Aymeric Laporte. Asokohe trajneri katalan u shtrëngua për të tërhequr prapa kapitenin Fernandinho, për të mbyllur boshllëkun e krijuar në qendër të mbrojtjes, pasi me kokëfortësi 49-vjeçari nga Santpedori preferoi për të mos ta zëvendësuar ish-kapitenin Vincent Kompany, që u largua në drejtim të Anderlecht-it.

Nathan Ake ka qenë pa dyshim një ndër lojtarët më të mirë të Bournemouthit në katër sezonet e fundit. 25-vjeçari nga Haga u formua si futbollist te Feyenoordi i Roterdamit, ndërsa më pas, duke filluar nga viti 2011 ai preferoi për të kaluar në Angli, në Akademinë e Chelsea-t. Ake bëri debutimin në radhët e bluve që në dhjetorin e vitit 2012, kur në moshën 17-vjeçare hyri në fushë si zëvendësues në “Carrow Road”, duke zëvendësuar në këtë mënyrë spanjollin Juan Mata në takimin me Norwich City-n.

Ake mund të luajë si në qendër ashtu edhe në krahun e majtë të repartit të prapavijës, por gjithashtu 25-vjeçari holandez mund të luajë shumë mirë edhe përpara mbrojtjes. Pasi luajti në formë huazimi te klube si Reading dhe Watford në Championship, Ake u transferua për të luajtur në “Vitality Stadium” sërish në formë huazimi gjatë sezonit 2016-17 dhe falë ndeshjeve të mira dhe eksperiencës pozitive mbrojtësi holandez siguroi një kontratë me vlerën e 20 milionë stërlinave me ekipin e drejtuar nga trajneri Eddie Howe.

Për mbrojtësin interesoheshin disa klube, sidomos pas rrëshqitjes së Bournemouthit në Championship, megjithatë City ishte ekipi i vetëm që kishte bërë një ofertë konkrete për të. Nathan Ake i mungoi shumë skuadrës së tij në tri ndeshjet e fundit të Premiershipit, pas një dëmtimi që pësoi në fitoren 4-1 në shtëpi ndaj Leicester City-t, më datë 12 korrik. Aymeric Laporte dëmtohet shpesh, ndërsa qendërmbrojtësi i përfaqësueses së “tre luanëve” John Stones nuk ka marrëdhënie të mira me Guardiolën, kështu që holandezi është një zgjedhje e shkëlqyer për Citizens.

Trajneri Eddie Howe nuk shfaqi interes për të diskutuar në lidhje me rinovimin e kontratës, pa u bindur më parë për qëndrimin e klubit në elitën e futbollit anglez, sidoqoftë Ake krenohet gjithashtu edhe me 13 ndeshje me përfaqësuesen e “portokallinjve”, ndërsa me Bournemouthin 25-vjeçari ka shënuar 11 gola në 111 ndeshje.

Top Channel