Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka reaguar për ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor duke thënë se ndryshimet e përkeqësojnë edhe më tej sistemin zgjedhor në vendin tonë.
Sipas Vetëvendosjes këto ndryshime janë një tenativë e re për të deformuar edhe më shumë vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e radhës, duke krijuar një prag të dyfishtë, që në të vërtetë është pengesë e dyfishtë për përfaqësimin e vullnetit qytetar në Kuvend, si dhe duke bërë një dredhi lidhur me hapjen e pjesshme të listave.
Reagimi i plotë:
Ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor e deformojnë vullnetin e qytetarëve
Jemi të vetëdijshëm se ndryshimet e mëdha në Shqipëri nuk do të vijnë përmes çështjeve procedurale të reformës zgjedhore, por është e rëndësishme të kuptohet se ndryshimet e propozuara kushtetuese e përkeqësojnë edhe më tej sistemin zgjedhor në vendin tonë. Këto ndryshime po bëhen në kundërshtim me praktikat e mira, që kërkojnë që mos të ndryshohen rregullat më pak se një vit para zgjedhjeve. Gjithashtu, ndryshimet u propozuan në mënyrë të njëanshme para dy javëve dhe tani, më 30 korrik, duan t’i miratojnë me ngut pa asnjë analizë të efekteve afatgjata që do të kenë. Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri i cilëson këto ndryshime si një tenativë e re për të deformuar edhe më shumë vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e radhës, duke krijuar një prag të dyfishtë, që në të vërtetë është pengesë e dyfishtë për përfaqësimin e vullnetit qytetar në Kuvend, si dhe duke bërë një dredhi lidhur me hapjen e pjesshme të listave.
Ndryshimet e vitit 2008 në sistemin zgjedhor krijuan 12 pragje të ndryshme zgjedhore, sipas 12 zonave të votimit, por pa një prag kombëtar. Aktualisht, një subjekt politik në Shqipëri që garon në zgjedhje pa koalicion do mund të kishte në total edhe mbi 100.000 vota në të gjithë vendin, duke u bërë “de facto” forcë e katërt politike për nga pesha. Por, nëse i njëjti subjekt politik që i ka marrë këto 100,000 vota në të gjithë vendin nuk kalon pragun rajonal në së paku një prej 12 zonave zgjedhore, atëherë votat nuk i përkthehen në përfaqësim në Kuvend, por i shkojnë subjekteve të mëdha. Sikur të mos mjaftonte kjo, me ndryshimet e propozuara kushtetuese, sistemi mbetet proporcional rajonal, por krijohet një prag i dyfishtë, duke i shtuar pragut rajonal edhe një prag kombëtar. Kjo do të thotë se një subjekt që garon vetëm mund të fitojë disa mandate nëpër zonat zgjedhore duke kaluar pragun rajonal, por nëse nuk kalon edhe pragun kombëtar, atëherë të gjitha mandatet i digjen dhe shkojnë drejt rritjes së peshës së subjekteve të mëdha. Suedia është një vend që ka edhe prag rajonal edhe prag kombëtar, por në Suedi mjafton të kalosh ose pragun kombëtar ose pragun rajonal për të fituar mandate në Kuvend. Për dallim nga Suedia, në Shqipëri, ndryshimet kushtetuese çojnë drejt krijimit të dy pragjeve, që duhen kaluar njëkohësisht, duke ndërtuar një pengesë të dyfishtë që i shkon për shtat vetëm partive të mëdha.
Palët e përfshira në debatin publik nuk po flasin për pragun e dyfishtë zgjedhor, por po flasin për koalicionet dhe listat e hapura. Është e vërtetë që heqja e koalicioneve me lista të veçanta e dobëson cilëndo opozitë në Shqipëri dhe përforcon pushtetin – jo vetëm në këto zgjedhje, por edhe në të ardhmen. Më tej, nëse subjektet më të vogla i drejtohen për koalicion subjekteve të mëdha për të tejkaluar padrejtësinë e pragut të dyfishtë, atëherë do të kenë më pak peshë negociuese përpara subjekteve më të mëdha, dhe do të varen krejtësisht nga vullneti i tyre për peshën që do të marrin brenda listës së një koalicioni të mundshëm. Sërish kjo rrezikon të përkthehet në deformim të vullnetit të qytetarëve që kërkojnë alternativa të reja.
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri është shprehur publikisht që para një viti për një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura në Shqipëri. Por sistemi po mbetet proporcional rajonal, pragun duan ta bëjnë të dyfishtë, ndërsa listat duan t’i hapin vetëm pjesërisht. 1/3 e listës do të jetë sërish në diskrecionin e partisë për ta mbajtur të mbyllur, dhe pse jo, për t’i patur kandidatët që janë në pjesën e mbyllur të listës në krye të fletëvotimit. Shumë pak kandidatë do të jenë në garë reale me lista të hapura. Pra, sërish ndodhemi para tentativës për të kryer manipulimin e radhës me vullnetin e qytetarëve.
Ndryshimet e propozuara kushtetuese jo vetëm që nuk zgjidhin probleme por edhe krijojnë procedura të reja që e deformojnë më shumë sistemin zgjedhor. Të njëjtat probleme do të mbeten në Shqipëri, e ato lidhen me mungesën e programeve të qarta politike, ose me programe të gabuara, me mungesën e moralit në politikë, me financimin e fushatës nga oligarkët që kanë monopolizuar sektorë të tërë të ekonomisë, e që ndikojnë drejtpërdrejt tek partitë e mëdha, me kandidatët më të pasur që do të kenë avantazh në fushatë para atyre që nuk kanë pasuri, e kështu me radhë. Të gjitha këtyre problemeve po duan t’u shtojnë edhe deformimet që krijojnë ndryshimet e propozuara kushtetuese.
Për të tejkaluar këtë situatë, qytetarët kanë nëvojë të kthehen te bazat e politikës, te programet dhe organizimi, te kthimi i moralit në politikë, te përqafimi i kauzave dhe te këmbëngulja për t’i çuar ato para edhe me sakrifica vetjake. Sigurisht që regjimit i intereson që të flasë sa më shumë për procedura zgjedhore e sa më pak për thellimin e krizës ekonomike dhe shëndetësore në vend, që edhe të zhvendosë vëmendjen edhe të miratojë dispozita që e pengojnë demokratizimin e vendit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës.
Top Channel