Gianni Infantino në telashe serioze. Për presidentin e FIFA-s ka nisur procedimi penal në Zvicër nga Prokurori i Jashtëzakonshëm Federal, Stefan Keller, me akuzën “shpërdorim të autoritetit”, “nxjerrje të sekretit profesional” dhe “pengim të hetimit”. Bashkë me Infantinon, por hetohet edhe prokurori i parë i kantonit të Valais, Rinaldo Arnold”.

Njoftimi për nisjen procedimit vjen pas dorëheqjes së Prokurorit të Përgjithshëm zvicëran, Michael Lauber, i akuzuar për qasjen e tij të dobët në procesin e “Fifagate”. Lauber (asokohe përgjegjës për hetimet) dhe Infantino u takuan në mënyrë joformale në disa raste në vitet 2016 dhe 2017, duke ngritur pikëpyetje mbi një bashkëpunim të mundshëm sekret mes tyre.

“Njerëzit e kujtojnë mirë se në çfarë situate ishte FIFA si institucion në vitin 2015 dhe se sa e nevojshme ishte një ndërhyrje thelbësore gjyqësore për të ndihmuar në rikthimin e besueshmërisë së organizatës. Si president i FIFA-s, qëllimi im që nga dita e parë ishte dhe mbetet të ndihmoj autoritetet për të hetuar veprat penale të kaluara në FIFA”, – komentoi Infantino pas hapjes së çështjes penale kundër tij.

“Unë e mbështes plotësisht procesin gjyqësor dhe FIFA është e gatshme të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet zvicërane për këtë qëllim. Të takohesh me Prokurorin e Përgjithshëm të Zvicrës është krejtësisht legjitime. Nuk përbën shkelje për asgjë. Përkundrazi, është pjesë e detyrave të presidentit të FIFA-s”, – përfundoi Infantino.

Top Channel