Në emisionin “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar deputeti i opozitës parlamentare, Erion Piciri. Në seancën e sotme plenare, deputeti votoi kundër ndryshimeve Kushtetuese, të cilat sjellin implementimin e listave të hapura dhe ndryshimin e koalicioneve parazgjedhore.

Gjatë fjalës së tij në studio Piciri argumentoi se përse ai votoi kundër ndryshimeve Kushtetuese, ku ndër të tjera tha se sipas tij, në parlament duhet të jenë të pranishëm 90 deputetë dhe jo 140 sa janë aktualisht.

“Janë shumë elemente që kam votuar kundra, që në fillim të ndryshimeve unë besoj se parlamenti nuk ka nevojë për 140 deputetë por për 90, në këtë formë ne paguajmë më pak dhe rrisim produktivitetin e parlamentarizmit. Elementi i dytë ka lidhje me faktin që ruhet proporcionali rajonal, që mundëson deformimin e botës. Unë mendoj se ne na duhet një proporcional i pastër kombëtar dhe i prag natyral, sepse thelbi i ndryshimeve Kushtetuese edhe elektorale është që të kemi mundësi që voton e drejtpërdrejtë të qytetarëve shqiptar ta përkthejmë në mandate Kuvendi.

Gjatë ndryshimeve të vitit 2008 dhe në vazhdimësi kemi një transformim të votave, partia e parë që ka qenë Partia Socialiste, merr diku tek 48% të votave, por në parlament kalon në 52%. Kam qenë kundër sepse është e paqartë ende pragu kombëtar, krahas një pragu rajonal që është nga 3% në Tiranë dhe vazhdon 30 e ca % në Kukës, ne e kemi ende të paqartë.

Fillimisht u propozua një prag prej 5%, po kjo shkatërron pluralizmin politik dhe dëmton partitë e reja, ose partitë e vogla me një mbështetje të konsiderueshme elektorale. Nëse merr 80 mijë vota, ka mundësi të mbetesh pa asnjë deputet në një moment që 80 mijë vota janë afërsisht tek 5% dhe duhet të kesh të paktën 7 deputetë në parlamentin shqiptar. Kam qenë dhe jam pro votës parapëlqyese por në mënyrën sesi është paketuar, në nenin 64 pika tre, i jep një dorë të mirë partive politike që ta ndryshojnë në mënyrë fakultative deri në 2/3 jo në 100%, këtu fillon një punë loje edhe goditet konkurrenca e lirë e ndershme brenda partive politike. Jam kundër ndryshimeve të nenit 64 pika tre, në lidhje me diskriminimin gjinor”, u shpreh Piciri.

Top Channel