E quajti Covid-in psikozë/ Lukashenko thotë se është prekur

29/07/2020 12:08

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, e quante covid 19 një psikozë.

Por tani thotë se është prekur prej saj pa zhvilluar asnjë simptomë. Lukashenko në vazhdimësi e ka minimizuar rrezikun nga covid 19 dhe ka refuzuar të mbyllë vendin e tij, duke e bërë bjellorusinë një përjashtim në evropë.

“Kërkoj ndjesë për zërin tim, kohët e fundit më është dashur të flas shumë. Por gjëja më e habitshme është se sot ju po shikoni një person që ka kaluar koronavirusin dhe qëndron i fortë në këmbë”, tha ai gjatë vizitës në një bazë ushtarake, raporton agjencia shtetërore e lajmeve Belta.

“Mjekët dolën në këtë konkluzion një ditë më parë. Unë isha asimptomatik. Sic thashë, 97 përqind e njerëzve tanë kalojnë këtë sëmundje pa simptoma dhe falë zotit unë ia dola të isha në grupin e asimptomatikëve”, shtoi lukashenko duke cituar një statistikë të paverifikuar.

Qendra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve në SHBA në fakt vlerëson se rreth 40 për qind e të infektuarve me covid 19 nuk paraqesin simptoma. Lideri me dorë të fortë e ka quajtur koronavirusin një psikozë masive dhe i ka rekomanduar qytetarëve që të shijojnë një sauna tradicionale apo të pijnë vodka për të helmuar virusin.

Ai është kritikuar gjerësisht se ka refuzuar të vendosë kufizime strikte gjatë pandemisë. Lukashenko, që ka udhëhequr vendin që nga 1994, nuk kufizuar as shfaqjet e tij publike gjatë pandemisë dhe mbajti edhe një paradë të madhe ushtarake në maj. Ai ka vazhduar të mbajë mbledhje të qeverisë me praninë e të gjithë kabinetit dhe ka luajtur hokej po ashtu. Bjellorusia, vend me 9.5 milionë banorë, zyrtarisht ka raportuar 67366 raste koronavirusi dhe 546 viktima sipas universitetit John Hopkins.

Top Channel