Ekipet e ekspertëve, në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, do të takohen gjatë kësaj jave.

Sipas burimeve brenda Bashkimit Evropian, takimi pritet të zhvillohet të enjten dhe aty do të bisedohet për temat që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik. Ky do të jetë takimi i dytë në nivel ekspertësh, pasi më 23 korrik, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, u takuan në Bruksel dhe biseduan për çështjen e të pagjeturve dhe të zhvendosurve. Kosova në dialogun në nivelin e ekspertëve përfaqësohet nga koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni, ndërkaq Serbinë e përfaqëson drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni, pas takimit me palën serbe më 23 korrik, deklaroi se nuk do të ketë marrëveshje për kapituj të veçantë, përderisa nuk arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Në Kosovë, kryeministri Avdullah Hoti, por edhe koordinatori Skender Hyseni, insistojnë se dialogu me Serbinë është vetëm në nivelin politik dhe nuk do të ketë diskutime teknike. Të gjitha takimet, siç ka deklaruar koordinatori Hyseni pas takimit të 23 korrikut, do të kenë për qëllim përgatitjet rreth draftimit të një marrëveshjeje finale, gjithëpërfshirëse. Burimet në BE pohojnë se varësisht nga rrethanat, gjatë vjeshtës presin rritje të dinamikës së takimeve mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të përshpejtohet arritja e një marrëveshjeje. Synohet që takimet në nivel ekspertësh të mbahen çdo javë dhe dy herë në muaj të ketë takime në nivel të lartë politik ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA