Shehi flet pas barazimit: Shkurtaj edhe mund të qëndrojë, e kam skicuar një formacion për sezonin e ri

25/07/2020 00:19

Kukësi nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Skënderbeut, ndërsa trajneri Orges Shehi u shpreh mjaft i zhgënjyer për rastet e humbura nga të tijtë. Sa i përket të ardhmes, trajneri i verilindorëve tha se do të bisedojë me presidentin, pasi e ka në kokë një formacion për sezonin e ardhshëm.

Disa raste të shpërdoruara dhe në fund vetëm barazim pa gola…
Më vjen keq që nuk finalizuam, pasi kishim mundësitë dhe shanset tona. Kur kërkon ta fitosh ndeshjen me patjetër, kundërshtari përfiton nga gabimet tona. Na vjen keq që nuk shënuam, pasi kjo është më e dhimbshme.

Sot nuk mjaftoi as karikimi i presidentit para ndeshjes…
Presidenti kërkon të fitojë, është president fitues. Ekipi bëri çmos për ta fituar ndeshjen dhe ishte i karikuar në maksimum pavarësisht se kemi dalë nga objektivat. Unë mendoj se u përpoq për ta fituar ndeshjen.

Cooper apo Shkurtaj?
Vlerat e Shkurtajt dihen dhe pritet të shënojë, pavarësisht se sot nuk ia arriti. Nuk mund të bëj krahasim, pasi Cooper është lojtar i ri. Ka pasur minutat e veta dhe disa herë e ka justifikuar, disa herë jo. Nuk mund të flas për sezonin tjetër. Edhe mund të ketë largime dhe afrime, por për momentin Shkurtaj ka peshë në sulm. Shpresonim shumë të shënonte, por nuk ia arriti. Nuk ka firmosur në vend tjetër, ndoshta mund të jetë pjesë e jona edhe sezonin tjetër.

A është e drejtë që faturën e këtij sezoni ta mbajë vetëm stafi teknik? A do i kërkoni një shans tjetër Gjicit?
Unë dhe stafi kemi aq përgjegjësi sa kemi. Do të bëjmë një analizë, por përgjegjës jemi të gjithë, pasi për 3 ditë e hodhëm poshtë sezonin e mirë. Do të ulemi të flasim edhe me presidentin dhe në qoftë se do të më besojë, do të marr lojtarët që unë mendoj që janë të denjë. I kam në mendje dhe kam biseduar. Në Shqipëri jemi, si dihet. Në kokën time e kam të skicuar një skuadër.

Top Channel