Europa dhe “play out”/ Teuta në kupat europiane, Vllaznia me makthin e “play out”

25/07/2020 00:44

Verdiktet sezonale në futbollin shqiptar kanë marrë formë zyrtare pas ndeshjeve të javës së parafundit që u dha siguri pretendentëve për Europën, por edhe shpëtoi ekipe që luftuan për të qëndruar në elitë. Tirana kampione humbi 3-1 ndaj Laçit në një transfertë ku kampionët e rinj të Shqipërisë kontestuan fort gjykimin. Nuabueze dy herë dhe Xhixha ishin autorët e rrjetave për kurbinasit që nuk u trembën as nga reagimi i vonë i kryeqytetasve me Torasën.

Bylis siguroi ashtu siç pritej mbijetesën në Superiore pas një ndeshjeje të fituar 2-0 ndaj Luftëtarit falë edhe motivimit të dobët të gjirokastritëve të rënë prej muajsh. Portieri Hidi prishi ekuilibrat ndërsa Qardaku kompletoi suksesin e ballshiotëve.

Siguri ka marrë edhe Vllaznia, por atë që priste më pak. Shkodranët do të diskutojnë qëndrimin mes ekipeve elitare me një ndeshje në Play Out pas disfatës ndaj Partizanit në Elbasan Arena 3-0. Shkodranët do të luajnë ndaj Pogradecit ose Besëlidhjes. Demat jashtë Europës, por respektuan kampionatin duke qëndruar larg pazareve të zakonshme në finalet e sezonit.

Teuta do të luajë sezonin e ardhshëm në Europa Lig pas triumfit në derbin bregdetar ndaj Flamurtarit 3-2 u imponuan durrsakët në transfertën që u duk e lehtë në letër por hasi në rezistencën e vlonjatëve që në Gusht do ta nisin nga një ligë inferiore.

Të fundit në skenë në javën e parafundit zbritën Kukësi dhe Skënderbeun që nuk e zgjidhën dot më të fortin mes tyre. Ndeshja në Elbasan Arena u mbyll në barazim 0-0 por rastet nuk munguan. Për tu shënuar një konkluzion i bukur i Dejvi Bregut cerek ore nga fundi, që shkundi tranversën e portierit Avdyli, i aftë për të devijuar sferën aq sa të mos prekte rrjetën.

Top Channel