Daja: Të ardhmen e vendos pas fundit të sezonit, një ditë mund të punoj edhe me Kalarin

25/07/2020 00:08

Skënderbeu nuk arriti të shkojë përtej barazimit pa gola ndaj Kukësit dhe tashëm është thuajse e pamundur të sigurojë një vend në zonën që të dërgon në Europa League ,ndërsa trajneri Ilir Daja komplimentoi të tijtë për paraqitjen e bërë.

Sa i zhgënjyer jeni për rastet e humbura, të cilët mund t’u kishin dhënë tre pikët sot?
Asnjërës skuadër nuk i bënte punë barazimi dhe kjo u pa në lojën që u bë, ku të dyja ekipet kishin shumë raste. Kishim përballe një skuadër me lojtarë shumë të mirë. Ne jemi të limituar në zgjedhje, një pjesë e formacionit janë djem të rinj, të cilët ndoshta nuk e mbajnë dot ritmin e atyre që mund të themi se janë titullarë. Të dyja ekipet kishin më shumë raste, por tonat ishin më të pastra dhe nëse do ishim më të vëmendshëm mund të kishim shënuar. Tani pothuajse janë përcaktuar të gjitha verdiktet në Superiore dhe unë i përgëzoj lojtarët për atë që kanë treguar.

Krasniqi apo Mensah?
Do i zgjidhja të dy, pasi kemi lojtarë të mirë. Lojtarët e stolit, janë lojtarë që e kanë merituar të jenë atje. Të përfaqësosh një fanellë si të Skënderbeut, nuk është e lehtë dhe duhen përdorur me kujdes, pasi një paraqitje e gabuar dhe mund t’u kushtonte shumë në aspektin psikologjik.

Kalari deklaroi se do të ketë shumë për të mësuar nga Daja. Do vijë ai te Skënderbeu apo do shkoni ju te Partizani?
Unë jam trajner i Skënderbeut. Ndoshta kanë mësuar shumë të tjerë nga mua, që tani janë trajnerë në Superiore. Ndoshta një ditë mund të takohem me Kalarin, apo me ndonjë tjetër.

E keni marrë një vendim për të ardhmen?
Ne kemi edhe një ndeshje të fundit me Partizanin. Shpresojmë që brenda kësaj periudhë të vijë një vendim. Do ulem edhe me Takajn për të parë projektin. Më pas do bëj zgjedhjen më të mirë, si për vete ashtu edhe për Skënderbeun, nëse vjen një lajm i mirë nga Gjykata Federale.

Sa e vështirë do të jetë për ju përballja ndaj Partizanit në javën e fundit?
Për mua nuk ka ndonjë problem, pasi në çdo ekip ku kam drejtuar, të gjithë kam dashur t’i mposht. Kam respektuar klubin ku kam punuar dhe kumi ka qenë Skënderbeu, për ato që kam arritur.

Top Channel