Pasi mori titullin kampion në tavolinë, për shkak të ndërprerjes së parakohshme të kampionatit prej pandemisë Covid-19, Paris Saint Germain fitoi sot edhe Kupën e Francës, këtë herë në fushë, në finale ndaj Saint Ettiene.

Kampionët e Francës dominuan takimin në “Saint Denis” që prej minutave të para dhe arritën të kalojnë në avantazh në minutën e 14’ me anë të yllit Brazilian të skuadrës, Neymar që u shfaq në vendin e duhur për të shtyrë në rrjetë një top të grushtuar nga portieri i Saint Ettiene.

Sfida u tensionua ndjeshëm në minutën e 31-të, kur Perrin bëri një ndërhyrje vërtetë të rëndë ndaj Kilyan Mbappe dhe e detyroi këtë të fundit të lërë fushën i dëmtuar, ndërsa lojtarë të të dy skuadrave u përfshinë në një sherr masiv.

Arbitri përdori plot 4 herë kartonin e verdhë për të rivendosur rregullin, ndërsa kapitenin e Saint Ettiene, Perrin e dërgoi para kohe në dhomat e zhveshjes, pasi e ndëshkoi me karton të kuq për ndërhyrjen e rëndë ndaj Mbappe.

Deri në fund Paris Saint Germain dominoi sfidën dhe krijoi disa mundësi shënimi, por pa arritur të shënojë golin e sigurisë, megjithatë edhe kaq mjaftoi që të festojë trofeun e dytë sezonal e të nisë përgatitjet për një të tretë si Liga e Kampionëve, ku mund të detyrohet të garojë pa Mbappe.

Top Channel