Java e 36 Serisë A vuri përballë dy prej skuadrave më në formë të që prej rifillimit të kampionatit italian, Milanin dhe Atalantën, të cilat numëronin nga 7 fitore dhe dy barazime secila në 9 ndeshje të zhvilluar që prej muajit qershor.

Edhe mbrëmjen e sotme Milani dhe Atalanta konfirmuan pathyeshmërinë e tyre që prej rifillimit të kampionatit, pasi nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1, me dy gola të shënuar që në pjesën e parë të takimit.

Pritej me mjaft interes të shihej si do të reagonte Milani i Piolit, që vinte me mungesa të shumta, veçanërisht në repartin e mbrojtjes ku mungonin të katër titullarët, megjithatë kuqezinjtë bënë një ndeshje mjaft të mirë, sidomos në pjesën e dytë.

Takimin e zhbllokoi turku Hakan Calhanogu në minutën e 14’, ndërsa Atalanta pati mundësinë të barazojë pak më vonë, por Ruslan Malinovski shpërdoroi një 11-metërsh, të cilin e grushtoi shumë bukur portieri Donnarumma.

Megjithatë në minutën e 34-t ishte sulmuesi kolumbian Duvan Zapata, i cili mposhti Donnarummën dhe riktheu baraspeshën, pasi i doli një top me fat në zonë. Deri në fund ishte Milani që pati një epërsi më të madhe në kontrollin e topit, por edhe goditje në kuadrat, megjithatë rezultati mbeti i pandryshuar dhe dy skuadrat ndanë nga një pikë.

Me barazimin e sotëm Atalanta i jep një tjetër “asist” për titull Juventusit, që do t’i duhet vetëm një pikë përballë Sampdorias, për të festuar fitimin e kampionatit për herë të 9 radhazi, ndërsa Milani ruan pozitat në vendin e 6 me 60 pikë.

Top Channel