Nuk ka fitues në “Elbasan Arena”, Kukësi e Skënderbeu ndajnë nga një pikë

24/07/2020 23:23

Kukësi luante për të blinduar vendin e dytë, ndërsa Skënderbeu për të zënë një vend në zonën europiane të renditjes, por në “Elbasan Arena” të dy skuadrat nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola, pavarësisht rasteve të shumta për të shënuar nga të dy krahët.

Iniciativën e lojës e morën verilindorët, që provuan të ndërtojnë disa aksione nga mbrapa, por korçarët e Dajës ishin rreshtuar mirë në gjysmëfushën e tre dhe arritën të krijojnë rastin e parë të rrezikshëm me Gripshin, që i vetëm me portierin Avdyli gjuajti mbi kuadrat.

Më pas ishte radha e Kukësit që të krijonte dy mundësi të mira shënimi, por Koliçi realizoi dy pritje mjaft të bukura, fillimisht në gjuajtjen e Maliqit dhe më pas në devijimin e sulmuesit verilindor Vasil Shkurtaj.

Pjesa e parë do të mbyllej me një tjetër aksion të rrezikshëm të Skënderbeut, por këtë herë Gripshi nuk arriti të shërbejë saktë për shokët e skuadrës në zonë, ndërsa edhe në fillim të pjesës së dytë ishte Krasniqi që u shërbye saktë në zonë, por shpërdoroi një mundësi të artë për të kaluar korçarët në avantazh.

Vetëm pak minuta më vonë ishte Vasil Shkurtaj që u shërbye saktë nga Musta, por ndonëse ishte i lirë në zonë, gjuajti gabim dhe dërgoi sferën jashtë portës së mbrojtur nga Koliçi. Kërcënoi edhe Dejvi Bregu, por goditja e tij u grushtua bukur nga Avdyli dhe u përplas në traversë, për të dalë më pas jashtë kuadratit.

Vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi rezultatin 0-0, një barazim ky që çon Kukësin edhe më pranë vendit të dytë, ndërsa Skënderbeu komplikon garën për një vend në zonën europiane, pasi tani është e dënuar të fitojë ndaj Partizanit në javën e fundit.

Top Channel