Një avokat i njohur ishte autori i sulmit vdekjeprurës mbi familjen e gjykatëses Esther Salas në Nju Xhersi.
Roy Den Hollander, personi që sipas mediave vendase qëlloi mbi djalin dhe bashkëshortin e Salas, është gjetur i vdekur në një zonë rurale pranë qytetit të Nju Jorkut. Autoritetet mendojnë se bëhet fjalë për vetëvrasje. Hollander thuhet të jetë shfaqur i veshur si postier, dhe kur djali i vetëm i çiftit, Daniel hapi derën, ai e qëlloi për vdekje.
Paskësaj shtiu disa herë edhe mbi të shoqin e gjykatëses, avokatin mbrojtës Mark Anderl, 63 vjeç, i cili është në spital në gjendje të rëndë. Den Hollander ishte një personazh i njohur në televizion, për padi që sfidonin ato që ai i konsideronte shkelje të të drejtave të tij nga feministët, duke sjellë si shembull deri edhe “mbrëmjet për gratë” ne bare, ku pijet ishin me çmim të ulët për femrat.
Ai ishte i pandehur në një padi që u gjykua nga gjykatësja Salas për një grua që donte të regjistrohej në ushtri, ndërsa kishte shkruar dhe në mediat sociale, ku akuzonte Salasin se kishte përdorur origjinën e saj hispanike për t’u bërë gjykatëse federale.
Ndër çështjet që ka gjykuar Salas, më të bujshmet kanë qenë gjykimi për mashtrim financiar kundër çiftit Teresa dhe Joe Giudice, të njohur nga një emision televiziv “reality show”, të cilët gjykatësja i dënoi me burgim për evazion fiskal dhe mashtrime të tjera.
Top Channel