Halit Valteri në Top Talk: Marrëveshja e 5 qershorit votohet në Parlament vetëm po u blenë vota

20/07/2020 18:11

Deri më tani, opozita parlamentare me kërkesën e saj për implementimin e listave të hapura dhe ndryshimet e sistemit po mbajnë “peng” marrëveshjen e pesë qershorit.

Takimi i fundit i Këshillit Politik, që u zhvillua para pak orësh, nuk solli ndonjë të re përsa i përket këtyre zhvillimeve. Edi Rama konfirmoi se është pro zhvillimit të zgjedhjeve me lista të hapura, por një të njëjtin kohë tha që nuk dëshiron që të prishet marrëveshja me opozitën parlamentare. Ndër të tjera tha që do të gjejë një zgjidhje për të kënaqur të gjitha palët. Sakaq, deputeti i opozitës parlamentare Halit Valteri, i ftuar në emisionin “Top Talk” tha që grupi parlamentar ku ai bën pjesë, është i pa lëkundur nga qëndrimi i saj. Sipas Valterit, opozita parlamentare dhe grupi parlamentar ku ai bën pjesë nuk e njeh marrëveshjen e pesë qershorit, pa u miratuan më parë ndryshimet në sistemin zgjedhor dhe të bëhet e mundur implementimi i listave të hapura. Megjithatë Valteri nuk e përjashtoi mundësinë që brenda opozitës parlamentare, struktura të tjera politike të “blenë” deputetë dhe të miratojnë marrëveshjen.

Denis Dyrnjaja: Është pak në fakt edhe paradoksale dhe ironike, pasi në fakt konsideroheni ju si njerëzit që jeni në xhepin e Edi Ramës dhe ai ju kontrollon për gjithçka, kur ju do për vota e për gjithçka tjetër.

Halit Valteri: Nëse do të ka kontrollonte Eedi Rama për vota atëherë do t’ia kishim miratuar me qejf të madh atë marrëveshjen e 5 qershorit, që është dakord dhe presidenti e kryeministri. Edhe ambasadorët e huaj, që kanë kontaktuar një për një të gjithë deputetët e opozitës,për të votuar marrëveshjen e pesë qershorit. Por ne, unë flas për grupin tim parlamentar, nuk mbaj përgjegjësi për deputetë të tjerë. Por unë them që po të na kishte Edi Rama, do ta kishim votuar tashmë atë marrëveshje dhe nuk do të kishe sot atë tryezën e Këshillit Politik, për hapjen e listave dhe ndryshimit të sistemit. Është shumë e qartë është si drita e diellit që ne, nuk them që nuk ka deputetë që janë në linjën e mazhorancës, se do të ishte një hipokrizi e madhe. Por po ju flas për grupin tim parlamentar ku unë bëj pjesë dhe jam nënkryetar i saj. Jemi të qartë dhe jemi kundra çdo lloj pazari në kurriz të shqiptarëve, përpos ndryshimit të sistemit dhe hapjes së listave zgjedhore.

Denis Dyrnjaja: Ju tani kryesisht jeni të varur dashje pa dashje tek Edi Rama, pasi ai po mbron qëndrimin për hapje të listave çka ju intereson dhe juve. Nëse Edi Rama do të dorëzohet përballë presionit të opozitës jashtë parlamentare që nuk lëshon pe për marrëveshjen e pesë qershorit, cili do të jetë qëndrimi juaj.

Halit Valteri: Është shumë e thjeshtë ne nuk do ta votojmë atë ligj dhe nëse Edi Rama, bashkë me shokët e tij të opozitës jashtë parlamentare, do të arrijnë të trafikojnë votat e deputetëve, do të arrijnë të blejnë deputetët brenda sallës së parlamentet, atëherë shqiptarëve kush do t’ia sigurojë që nuk do t’ia trafikojnë votat tek kutitë e votimit dhe nuk do t’ia trafikojnë mandatet. Por një gjë jua siguroj nëse këta bëjnë përsëri një marrëveshje të pisët në kurriz të shqiptarëve, 97-ta do t’i duket lule këtyre njerëzve, pasi shqiptarëve i ka vajtur thika në palcë, varfëria është ulur këmbëkryq dhe fatkeqësitë që na ndodhën tërmeti dhe COVID-19, shqiptarëve aq u bën se kush bën marrëveshje Meta, Rama apo Basha. Njerëzit duan zgjidhje, duan strehim duan ushqim në shtëpitë e tyre dhe jo pallavra dhe marrëveshjet që mund të bëjnë, në sallat e Pallatit të Kongreseve, hoteleve apo nëpër vilat e tyre luksoze, që i kanë bërë në kurriz të shqiptarëve.

Top Channel