Milani pa “mëshirë” ndaj Bolognës, dominon dhe triumfon me goleadë

19/07/2020 08:21

Milani konfirmohet si një prej skuadrave më në formë që prej rifillimit të kampionatit, pasi mbrëmjen e sotme mori fitoren e gjashtë në tetë ndeshje të zhvilluara dhe tani e sheh gjithnjë e më pranë arritjen e objektivit për një vend në zonën Europa League të renditjes.

Sinisa Mihajlovic kishte kërkuar “mëshirë” nga Zlatan Ibrahimovic para ndeshjes dhe suedezi kështu bëri, pasi e nisi ndeshjen me një përqafim me mikun e tij dhe nuk la gjurmë në sfidë, por nuk toleruan aspak kuqezinjtë e tjerë, që dominuan dhe regjistruan suksesin me rezultatin e thellë 5-2.

Sfida nisi mjaft vrullshëm për të besuarit e Stefano Piolit, që pasi testuan 2-3 herë aftësitë e Skorupskit, arritën të gjejnë golin e avantazhit në minutën e 10’ me anë të belgut Saelemaekers, i cili shënoi golin e tij të parë në Serinë A.

Ishte një këmbëngulje e gjatë e Rebiç nga krahu i majtë i sulmit, me kroatin që pasi dehu me disa finte Danilon, nisi me thembër Theo Hernandez, ndërsa ky i fundit shërbeu saktë në zonë, aty ku Ibrahimovic hapi këmbët për të lënë topin për Saelemaekers.

Skuadra milaneze nuk e uli aspak ritmin pas golit të avantazhit dhe vijoi të kërcënojë kuadratin e Skorupskit, ndërsa në minutën e 24-t ishte turku Hakan Calhanoglu që shfrytëzoi një spastrim të gabuar të portierit të Bolognës, për të shënuar edhe golin e dytë.

Goli zgjoi Bolognën, që filloi të shohë më shpesh nga zona e Donnarummës, kryesisht me Ricardo Orsolinin, që dukej i karikuar edhe nga kritikat e Mihajlovic, por sërish rastet më të mira për shënim i pati Milani me anë të Franck Kessie, që në dy momente “flirtoi” me golin e tretë të ndeshjes.

Megjithatë kur dukej se 45-minutëshi i parë do të mbyllej me avantazhin e dyfishtë të kuqezinjve, ishte mbrojtësi japonez Takehiro Tomiyasu që mori një top mbi vijën e zonës së 16 metrave nga Sansone dhe lëshoi një të majtë të hidhur, duke dërguar topin në trekëndëshin e portës së Donnarummës.

Kuqeblutë provuan ta nisin në mënyrën e duhur edhe pjesën e dytë, por një sulm i shpejtë i vendasve me protagonist mesfushorin Bennacer, bëri që mesfushori algjerian të gjejë gjithashtu golin e tij të parë me fanellën e kuqezi dhe të tretin për Milanin në këtë takim.

Pak minuta më vonë ishte i zakonshmi Ante Rebic, që pasi mori një top nga Ibrahimovic në zonë, u rrotullua bukur duke lënë të shtangur mbrojtësin Danilo dhe më pas gjuajti e mposhti për herë të katërt portierin Skorupski.

Pak para vërshëllimës finale ishte mbrojtësi Calabria që mori një pasim nga Leao dhe shënoi golin e pestë për Milanin, duke vulosur rezultatin final 5-1.

Kuqezinjtë kanë grumbulluar 20 pikë në 8 ndeshje që prej rifillimit të kampionatit dhe janë skuadra që ka bërë më mirë bashkë me Atalantën, ndërsa tani renditen në vendin e 7 me 56 pikë.

Top Channel