Mjeshtri i anijeve të drurit/ Një nga artizanët e rrallë që nuk e ndal punën edhe sot në pension

18/07/2020 19:58

Ahmet Lila është nga të rrallët artizanë, që ndonëse në kushte të pazakonta pune, mjeshtërisht i shndërron në art copat e drurit. Talenti, puna dhe durimi e kanë shndërruar në artist.

Çdo ditë e gjen të ulur në një stol dhe tryezë të improvizuar pune në pragun e shtëpisë së tij përdhese, tashmë të pabanueshme për shkak të tërmetit që goditi Durrësin më 26 nëntorin e kaluar.

“Shtëpia është gati duke u shembur. Jetojmë me frikë se mund të na zërë brenda. Po unë merrem me punë artistike që 16 vjeç. Për herë të parë kam bërë “Sazanin”, “Butrintin”, “Teutën”, Tiranën, Vlorën e me rradhë. Kur e pashë që anijet tona nuk ecnin më (në treg) fillova të bëj anijet e vjetra, ato të kohës së lashtë, pirate e tregtare. Kohët e fundit kam bërë një anije të gjatë 1.2 metra. Është me topa, e shek. XVII. Anijet e Kolombos kam bërë.

“Prodhimet e tij shihen me kënaqësi nga të gjithë durrsakët. Në një kohë kur kantieri detar është zhdukur, mjeshtri po e ruan traditën detare. Ai vlerësohet nga të gjithë me notat më të mira për punën e tij dhe kujtimet që krijon nga Durrësi.”

Me duart e tij ka përjetësuar duke punuar në dru dhe monumente të trashëgimisë kulturore të antikitetit dhe kohëve modern, që sot gjenden në vende të ndryshme të botës.

“Kam bërë kullën “Ejfel”, Amfiteatrin, Urën e Gorricës në Berat, Torrën Veneciane dhe Kalanë e Durrësit. Ishim fëmijë dhe me lëvozhgat e pishës kam nisur. Nuk kam mjete moderne, po dhe njerëzit kështu i duan, jo punime me makineri. Punime dore. Kam pasur shumë kërkesa që vinin që nga Suedia, Spanja, Franca, Amerika etj. Janë të huaj dhe shqiptarë që ua çojnë pronarëve të tyre.”
Jeton vetëm pak metra larg qendrës së qytetit të Durrësit. Edhe pse është nga të paktët artizanë të qytetit, nuk e ka ndjerë mbështetjen për strehim dhe as për një ambjent pune. Edhe atë që ia dhanë disa vite më parë në përdorim, ia morën shpejt, ndaj punon jashtë, në çdo stinë.
“Që në 1993 kam bërë kërkesë për shtëpi, po asnjëherë s’më ka ardhur rradha…”

Me punën e tij siguron të ardhura për familjen, po ka muaj që puna ka rënë, ndërsa pensioni që merr është i pamjaftueshëm.

“Ka rënë puna shumë. Dua 12-13 ditë që të bëj një anije. Dikur nuk kisha kohë se vinin porositë njëra pas tjetrës. Tani janë stoqe anijet, në shtëpi. Pensioni im nuk del as për drita e ujë.”

Ndonëse mbyllja e kufijve për shkak të pandemisë dhe rënia e fuqisë blerëse në vend e ka dëmtuar rëndë, Ahmeti nuk dorëzohet.

“Do të punoj deri kur të më lenë krahët. Kjo punë do durim. Mezi përballohet dhe asnjë nga fëmijët e mi nuk e mori.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA