Kolorado dhe Arkansasi iu bashkuan të enjten një numri në rritje shtetesh amerikane që po kërkojnë vendosjen e detyruar të maskave në vende publike si masë për të luftuar rritjen e infeksioneve me koronavirus.

Me njoftimet nga guvernatori demokrat i Kolorados Jared Polis dhe guvernatori republikan i Arkansasit Asa Hutchinson, 26 nga 50 shtete, janë renditur tashmë në krahun e ekspertëve të shëndetit publik të cilët kërkojnë që vendosja e një maske të jenë e detyrueshme, më shumë sesa një çështje zgjedhjeje personale. Por ndryshe nga kjo qasje, të mërkurën vonë në mbrëmje guvernatori republikan i Xhorxhas Brian Kemp lëshoi një urdhër ekzekutiv duke pezulluar rregulloret lokale për vendosjen e maskave ndërsa tha se banorët “inkurajoheshin fuqishëm” që t’i mbanin ato. Ai tha se vendosja e një urdhri detyrues për maskat ishte shumë kufizues.

Pasi kryebashkiakja e kryeqytetit të Xhorxhas (Atlanta) Keisha Lance Bottoms, tha se kishte në plan ta kundërshtonte urdhrin e zotit Kemp dhe të zbatonte një rregullore të detyrueshme për maskat që ajo lëshoi në 8 korrik, zoti Kemp njoftoi të enjten se kishte ngritur padi kundër vendimit të saj. “Kjo padi është në emër të biznesmenëve të Atlantës dhe punonjësve të tyre të zellshëm që po përpiqen të mbijetojnë gjatë këtyre kohërave të vështira”, tha zoti Kemp në një deklaratë. Më herët, kryetari i Bashkisë së Savannah-s, një qytetet në Xhorxha, Van Johnson, i cili lëshoi një urdhër detyrues për maskat në qytetin e tij më 1 korrik, shkruante në Twitter se urdhri i zotit Kemp tregon se ai “nuk shqetësohet fare për ne”.

Rastet e reja me koronavirusit janë rritur në jug dhe perëndim të vendit pasi zyrtarët lokalë filluan të lehtësojnë masat kufizuese ekonomike dhe sociale që synin ngadalësimin e përhapjes së virusit. Të enjten, Florida, Teksasi dhe Karolina e Jugut raportuan një numër rekord vdekjesh si pasojë e COVID-19 brenda një ditë të vetme, përkatësisht 156, 129 dhe 72. Të paktën tre shtete të tjera kanë shënuar shifrën më të lartë me infeksione të reja gjatë 24 orëve të kaluara, Nevada me 1,447, Mississippi 1.230 dhe Oregoni me 429.

Tridhjetë shtete kanë regjistruar rritje rekord rastesh ditore të konfirmuara këtë muaj, shumë prej tyre më shumë se një herë. 14 shtete kanë raportuar një numër më të madh vdekjesh brenda një dite të vetme në muajin korrik sesa kishin raportuar më parë. Që prej fillimit të pandemisë SHBA ka regjistruar mbi 3.5 milionë persona të infektuar nga koronavirusi dhe 138 mijë të vdekur./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA