Mbante hapur lokalin në kundërshtim me rregullat e COVID-19, gjobë për pronarin e lokalit në Tiranë

16/07/2020 15:19

Një 41-vjeçar në Tiranë është proceduar penalisht pasi mbante hapur lokalin e tij në kundërshtim me aktin normativ për koronavirusin.

Procedohet penalisht pronari dhe i vendoset gjobë 1.000.000 lekë, që mbante hapur biznesin e tij në kundërshtim me ligjin për COVID19 dhe tashmë do të përballet në gjykata me akuzën “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”.

Njoftimi i plotë:

Vijojnë kontrollet e shtuara nga Policia e Tiranës, në subjektet që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ.

Procedohet penalisht pronari i një lokali, për veprën penale “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të kontrolleve në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, për subjektet apo individët që zhvillojnë aktivitete në ambiente të mbyllura, duke mos zbatuar urdhrin e organit kompetent për mbylljen e tyre, kanë konstatuar një lokal nate të hapur dhe me klientë.

Në vijim të veprimeve u bë shoqërimi dhe u procedua penalisht pronari i lokalit, shtetasi A. F., 41 vjeç.

Gjithashtu, për këtë subjekt u vendos masë administrative 1.000.000 lekë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Tiranës apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Top Channel