Katari zbulon datat! Detajet për botërorin e “dimrit”

15/07/2020 18:55

Në verën futbollistike më të çuditshme në histori, ka marrë formë edhe botërori më i çuditshëm dhe ai më i kontestuar.

FIFA zyrtarizoi kalendarin për Katar 2022, i pari turne i këtij lloji që do të luhet në kohë dimri, dhe do të marrë jetë nga 21 Nëntori deri në 18 Dhjetor me finalen e madhe.

Ai i Katarit do të jetë edicioni më i shkurtër që prej vitit 1978, por asokohe në Argjentinë ishin 16 skuadra, gjysma krahasuar me botërorin në mes të shkretëtirës. Nga 21 nëntori i 20221 do të luhet cdo ditë me nga 4 ndeshje deri në datën 2 Dhjetor kur edhe do të relaksohen disi ekipet e mbijetuara të turneut.

Të çudishme sa zgjedhja e botërorit, edhe oraret e sfidave. Me orën shqiptare, ndeshjet do të jenë në 11:00, kohë kur do luhet edhe sfida inauguruese, në 14:00, në 17:00 dhe në orën 20:00. Praktikisht zyrat dhe fabrikat e gjysmës së botës, do të duhet të pajisen me ekrane të mëdhenj, e të lehtësojnë disi punonjësit nga oraret, për botërorin.

Ndeshja e parë do të luhet në Al Bajt Stadium dhe finalja e madhe që do të vendosë kampionen e botës në 2022, do të jetë në Luzail Stedium.

 

Top Channel