Fotot/ Incident në një port iranian, disa anije përfshihen nga zjarri

15/07/2020 20:48

Në portin e Bushehr të Iranit në Gjirin Persik, të mërkurën disa anije janë përfshirë nga zjarri, raportojnë media lokale.

Agjencia zyrtare e lajmeve IRNA publikoi një foto ku shihej tymi i zi që lëshohej në ajër derisa zjarrfikësit luftonin me flakën. Nuk është raportuar për viktima, sipas agjencisë gjysmë zyrtare të lajmeve Tasnim.

Raportet thanë se të paktën shtatë anije u dëmtuan nga zjarri. Javët e fundit kanë ndodhur disa incidente të tilla në të gjithë Iranin, ku zjarret kanë përfshirë zonat ushtarake.

Dy shpërthime tronditën kryeqytetin, Teheran, në fund të qershorit, një afër një lokacioni ushtarak dhe tjetri në një qendër shëndetësore. Nga ky incident mbetën të vrarë 19 njerëz.

Një zjarr gjithashtu shpërtheu në objektin bërthamor Natanz më 2 korrik, thanë zyrtarët. Organet e sigurisë në Iran thanë se shkaku i zjarrit të Natanz ishte përcaktuar, por për të do të njoftohej në një kohë të mëvonshme. Disa zyrtarë iranianë thanë se incidenti mund të ketë qenë pasojë e një sulmi në internet.

Në një artikull në fillim të korrikut, agjencia shtetërore e lajmeve IRNA adresoi atë që e quante mundësinë e sabotimit nga armiqtë si Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, shkruan REL.  Ministri i mbrojtjes i Izraelit tha që më 5 korrik vendi i tij nuk ishte “domosdoshmërisht” pas çdo incidenti misterioz në Iran.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel