Amfiteatri i Tiranës ndizet sot me këngët e dashurisë të viteve 1960-‘90, Veliaj: Kemi nevojë edhe për ushqim shpirtëror

15/07/2020 14:20

Sonte mbrëma, në Amfiteatrin e Tiranës do të luhen këngët më të bukura të dashurisë nga vitet 1960 deri në fund të viteve ‘90.

Një plejadë e mrekullueshme këngëtarësh, në bashkëpunim me artistë më të rinj, por edhe emrat më të njohur të muzikës së ditëve tona, do të sjellin hitet e atyre viteve për të gjithë nostalgjikët. Pak para koncertit, ata u pritën në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ftoi qytetarët që, duke respektuar protokollet e sigurisë dhe distancën, të jenë të pranishëm në këtë festë të muzikës së bukur.

“Jam shumë i lumtur që në darkë, pas një dite të lodhshme pune, do ta mbyllim tek Amfiteatri i Liqenit me Bashkim Alibalin e madh, me Luan Zhegun, me Irma Libohovën, me Liljana Kondakçiun, me këngët e gjeneratës së tyre dhe këngët e tyre, por edhe me këngë të vjetra të miksuara, që i dedikohen shumë artistëve të cilët, ose nuk janë më mes nesh, ose jetojnë jashtë vendit. Fatmirësisht, tek Amfiteatri kemi mundësi ta ruajmë distancën sociale, por edhe mund të shpërndahemi në të gjitha rrethinat përreth amfiteatrit për këngët e dashurisë, për këngën shqip, për atë që kemi më shumë nevojë në këto kohë. Patjetër, kemi nevojë për infrastrukturë në qytet, për investime, por kemi nevojë edhe për kulturë për shpirtin”, tha Veliaj.

Kjo është arsyeja pse sot në skenë ngjiten disa nga yjet e muzikës shqiptare.

“Sepse siç ka nevojë për ushqim stomaku, ashtu edhe mendja ka nevojë për art. Për muzikën më të mirë të gjeneratës së prindërve tanë, mezi pres të shihemi tek Amfiteatri i Tiranës”, u shpreh ai.

Teksa i siguroi qytetarët se do të kalojnë një mbrëmje magjike, këngëtari i njohur, Bashkim Alibali, i ftoi që ta ndjekin këtë shfaqje të bukur.

“U them të gjithëve, ejani sepse na ka marrë malli për ju. Edhe juve besoj ju ka marrë malli për ne. Sonte në orën 20:00 takohemi në shfaqjen që do të japim për ju”, tha ai.

Irma Libohova vlerësoi mbështetjen që kryebashkiaku Veliaj u jep artistëve dhe artit.

“Dëshira për të dëgjuar muzikë nuk është vetëm e njerëzve, por edhe e jona sepse kemi dëshirë të performojmë. Projektet që mbështeten na bëjnë mirë dhe ne artistëve, aq më mirë kur sot do të shikoni disa breza artistësh që sjellin këngët edhe të brezit tonë, por edhe të një brezi më të ri”, tha Libohova.

Ndërkohë, ata që nuk do të munden të jenë të pranishëm në Amfiteatër për shkak të rregullave të protokollit për parandalimin e COVID-19, mund ta ndjekin direkt në rrjetet sociale.

Top Channel