Në rrezik stabiliteti i vendit/ Opozita dënon tentativën e Ramës për të prishur marrëveshjen e 5 qershorit

14/07/2020 01:01

Opozita e bashkuar deklaroi mbrëmjen e se hënës se dënon me forcë tentativën e Edi Ramës për prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit për Reformën Zgjedhore.

“Ky akt i paprecedentë prish konsensusin e arritur me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE, vë në rrezik stabilitetin e vendit, si dhe dëmton seriozisht shanset e Shqipërisë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian”, thuhet ne reagim. Sipas opozitës së bashkuar, ky veprim diabolik po kryhet vetëm për pushtetin personal të Edi Ramës dhe motivohet prej frikës së tij nga zgjedhjet.

“Kurrë më parë nuk ka ndodhur që të ndryshohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe rregullat e lojës së një gare elektorale në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus mes palëve pjesëmarrëse në zgjedhje”, thuhet në deklaratë.

“Ky provokim i ulët dhe sjellje tipike prej autokrati që ka frikë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, synon të nxisë konflikt politik në vend në prag të zgjedhjeve të ardhshme, që janë kyçe për demokracinë dhe ecurinë e Shqipërisë në rrugën e saj evropiane”, vijon opozita e bashkuar, e cila thotë se ka informuar zyrtarisht gjatë se hënës Presidentin e Republikës dhe partnerët tanë strategjikë për këtë akt të paprecedentë që acaron më tej klimën politike në vend dhe e fut Shqipërinë në një kurs zhvillimesh të paparashikueshme.

Top Channel