Dita e Bastijës, Meta letër Macron: Mbështetja e Francës, motivimi i duhur për të vijuar përmbushjen e reformave për në BE

14/07/2020 10:34

Presidenti Ilir Meta ka uruar homologun e tij francez, Emmanuel Macron, me rastin e Festës Kombëtare të Francës, Ditën e Bastijës.

Ndërsa vlerëson marrëdhëniet mes dy vendeve, Meta shpreh bindjen se falë vullnetit dhe përpjekjeve të përbashkëta, bashkëpunimi ndërmjet Francës dhe Shqipërisë do të forcohet edhe më shumë në të gjitha fushat.

Postimi i plotë:

I nderuar Zoti President, Emmanuel Macron

Me rastin e Festës Kombëtare të Francës, Ditës së Bastijës, më lejoni të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të ngrohta e të sinqerta për Ju dhe popullin mik francez.

Marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira midis dy vendeve dhe popujve tanë
kanë krijuar një bazë solide miqësie e partneriteti për të ardhmen.

Jam i bindur se, falë vullnetit dhe përpjekjeve të përbashkëta, bashkëpunimi ndërmjet Francës dhe Shqipërisë do të forcohet edhe më shumë në të gjitha fushat.

Përfitoj nga rasti të shpreh gjithashtu mirënjohjen e thellë për ndihmën e madhe që Ju dhe Franca po i jepni Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Mbështetja Juaj dhe e një vendi mik si Franca, si dhe metodologjia e re e zgjerimit, janë inkurajim dhe motivimi i duhur për ne për të vijuar me vendosmëri përmbushjen e reformave që do të mundësojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit.

Duke shprehur dhe një herë urimet më të mira për Ju, për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Francës, si dhe dëshirën time për t’Ju mirëpritur në Shqipëri në një kohë të përshtatshme, ju lutem Zoti President, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë. ?????

Top Channel