Bushtrica mirëpret “Festën e Bjeshkëve”/ Blendi Klosi: Njihuni me këtë mrekulli të Bjeshkëve Shqiptare

12/07/2020 18:27

Në Bushtricë të Kukësit u zhvillua për herë të parë “Festa e Bjeshkëve”, një mundësi më shumë për të tërhequr vëmendjen e turistëve përmes bukurive natyrore. “ Festa e Bjeshkëve “ mblodhi bashkë banorë të zonës, të cilët shpresojnë për një zhvillim të turizmit malorë në zonën e tyre.

“Ky të mos ishte turizëm malli, por një turizëm i mirëfilltë. Kjo të rikthehet në një burim i mirëfilltë ekonomik për banorët e kësaj zone”, u shpreh një banor.

Ndërsa një tjetër tha:

“Kjo është një meritë e madhe. Këtu mund të dalë një firmë dhe të bëhet turizëm malor, është një vend mjaft i bukur”.

I pranishëm në “ Festën e Bjeshkëve” Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, tha se për shkak të situatës së pandemisë ky vit turistik është i vështirë por edhe brenda këtij viti do të vazhdojmë të mbijetojmë ndërsa Rrugën e Kombit dhe Rruga e Arbërit,do të bëjnë të mundur që turistët e shumtë që vizitojnë Shqipërinë, të kenë mundësinë e një oferte të vërtetë turistike 12 mujore.

“Në fakt ne kemi një fushatë të madhe këtë kuadër të pandemisë, që e kemi quajtur “pusho shqip dhe unë qëndroj në Shqipëri”. Është një fushatë që kërkon për shqiptarët të njohin më shumë Shqipërinë. Ne na ka bekuar zoti me kaq shumë bukuri natyrore, me kaq zona për t’u kthyer në destinacion turistike, siç është kjo mrekulli e bjeshkëve shqiptare”, u shpreh Klosi.

Ndërsa kryetari i Bashkisë Kukës Safet Gjici tha se Bashkia Kukës ka një projekt që përmes investimeve në infrastrukturë i gjithë vargmali Korab-Koretnik të lidhet me Bjeshkët e Kukësit dhe Dragashit në Prizren.

“Kemi biseduar dhe me kryetarin e Komunës së Prizrenit për të lidhur të gjithë këtë ask, nga bjeshkët e Dragashit deri në malin e Korabit. Kemi problem me infrastrukturën, por infrastruktura do të vazhdojë duke lidhur duke lidhur disa bjeshkë, me një projekt që do të bëhet me asfalt. Është një investim që shërben për 20 mijë banorë”, tha Gjici.

Banorët dhe të ftuarit që u përfshinë në festime iu bë e mundur udhëtimi me makinë përmes rrugës së përmirësuar nga Bashkia Kukës. Ndërkohë ,Këshilli bashkiak Kukës do të shpalli 11 korrikun si ditën e turizmit të bjeshkës.

Top Channel